E plotësuar: Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci pas takimit konsultativ me partitë politike dhe pas propozimit të PAN-it që seanca e radhës të mbahet më 24 gusht, vendosi që ta respektojë këtë propozim duke vendosur që seanca e radhës të mbahet pikërisht më 24 gusht.
Ai tha se duke pasur parasysh procesin e gjertanishëm dyshon për
“Në mendim me të gjithë këtu po e caktoj seancën për 24 edhe pse me një eksperiencë të hidhur mos sigurie duke u mbështetur në këto diskutime konsultative deri tash”, tha ai.
Ai tha se seanca e radhës është më 24 gusht në ora 10:00.
Por, në përfundim të takimit, pasi e përshëndeti Hoxhaj, Mikullovcin, ky i fundit iu kthye me “U pafshim e mos u pafshim…”.
Sejdiu e Deda kërkojnë garanci që PAN-i do të vijë në seancën e 24 gushtit (Live)
E plotësuar: Korab Sejdiu nga AKR e Ilir Deda nga Alternativa kërkuan garanci që më 24 gusht e pranishme në seancë do të jetë edhe PAN-i.
Por, kryesuesi Adem Mikullovci tha se nuk mund ta garantojë pjesëmarrjen e PAN-it në seancë.
Lidhur me këtë reagoi përfaqësuesi i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ai tha se nuk lejon që të tjerët të ‘shesin’ moral por kërkoi mbështetje për kërkesën e tyre që më 24 gusht të mbahet seancë.
Hoxhaj tha se të mbështetet mbajtja e seancës më 24 gusht, pastaj do të vërtetohet nëse do ta mbajnë fjalën ose jo.
Komunitetet pakicë mbështesin propozimin që seanca të mbahet më 24 gusht
E plotësuar: Përfaqësuesit nga radhët e komunitetit turk, egjiptian dhe koalicionit VAKAT kanë mbështetur propozimin e koalicionit PAN që seanca e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 24 gusht.
Sherifi: Jemi gati për seancën e 24 gushtit
E plotësuar: Bilall Sherifi nga Nisma, tha se seancën e 24 gushtit e kanë propozuar pasi në këtë datë janë të gatshëm të marrin pjesë në seancë.
Sherifi tha se ata nuk po zvarrisin procesin, por deri tani kanë pasur nevojë për konsultime.
Lekaj: Mos na shitni pallavra
E plotësuar: Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka theksuar se Vetëvendosje ka shtyrë kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit, Adem Mikullovci që të thërret seanca.
“Jemi të vetëdijshëm që kryesuesi e ka thirrur seancën në mënyrë të rregullt, po ashtu jemi të vetëdijshëm që kryesuesin e ka shty subjekti i vet që të thirr seanca. Nuk jemi këtu që dikush të na shet mend se sa i dojnë qytetarët”, ka thënë Lekaj.
Lekaj më tej ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të VV-së, Frashër Krasniqi të bërë të hënën në seancën e Kuvendit, duke thënë se ai ka përdoru foltoren pa të drejtë dhe se ka fyer luftën e UÇK-së.
“Sot e përdorin foltoren e Kuvendit pa të drejtë kushtetuese që të fyejë më të shtrenjtën luftën e UÇK-së. E keni shfrytëzuar pa kuorum që të njollosni dhe të fyeni njerëzit që kanë dhënë gjithçka për këtë vend. Ju nuk i doni qytetarët më shumë se ne”, u shpreh Lekaj.
Ai tutje iu drejtua të pranishmëve në këtë takim nga ana e LAA-së, që “mos hajdeni këtu që ta na shitni pallavra”.
Mikullovci, PAN-it: Kërkesën për seancë ta bëni me shkrim
E plotësuar: Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci ka kërkuar nga PAN-i që në mënyrë zyrtare t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës me kërkesën për mbajtjen e seancës më 24 gusht.
Ai tha se një kërkesë e tillë duhet të bëhet me shkrim.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Enver Hoxhaj tha se kërkesën do ta bëjnë edhe me shkrim.
Ai duke replikuar me të pranishmit, iu drejtua Mikullovcit se “kush jeni ju të na ndaloni të mbahet seanca më 24 gusht dhe të shihni se a do ta mbajmë fjalën”.
Deda, Enver Hoxhës: Tregoni korrektësi minimale, njëherë kërkoni seancë më 17, tash më 24 gusht, kjo është lojë e juaj
E plotësuar: Ilir Deda nga Alternativa tha se takimi konsultativ nuk do të thotë se ata vijnë në takim dhe duhet patjetër t’i dëgjojnë kërkesa e propozimet e PAN-it.
Deda tha se vet Enver Hoxhaj javën e kaluar ka propozuar që seancat të mbahet më 17 ose 18 gusht, ndërsa thash propozon më 24 gusht.
“Takimi konsultativ nuk do thotë se vijmë dhe i dëgjojmë kërkesat e propozimet tua. Ju Enver e dini shumë mirë. Vet keni thanë se seanca e radhës të mbahet më 17 ose 18 gusht, ndërsa tash thoni të mbahet më 24 gusht. Kjo është lojë e juaja dhe përqeshje. Korrektësia duhet të jetë edhe prej jush dhe bile minimale. Ka me pas çështje më të mëdha dhe kështu nuk ecet përpara. Duhet mu marr vesh. Marrëveshja duhet të respektohet. E kemi ditë që kështu do të thoni. Nuk është aspak korrekte. Qysh me ju besim që ju do të vini më 24 në seancë”, tha ndër të tjera Ilir Deda.
Korab Sejdiu: Nëse PAN nuk vjen në seancë, duhet të ndërrohet qasja politike
E plotësuar: Korab Sejdiu nga radhët e koalicionit LAA, ka thënë në takimin e sotëm konsultativ, se nëse PAN nuk vjen në seancën e radhës, atëherë do të duhej të ndërrohet qasja politike dhe juridike.
Ai tha se mënyra se si është proceduar deri më tani dhe e drejta që i është dhënë koalicionit PAN, ka cenuar të drejtën e qytetarëve dhe se kjo e drejtë nuk është absolute, pasi që po përdoret për të penguar krijimin e institucioneve.
Sejdiu ka theksuar se nuk bëhet nami të presin deri më 24 gusht, por nuk e dinë sa t’i besohet PAN-it se do të vijnë prapë në seancë dhe se qytetarët janë ngopur me këto taktika të vonesave.
Hoti: Të gjitha seancat janë thirrur në mënyrë të rregullt
E plotësuar: Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se të gjitha seancat e Kuvendit të Kosovës deri tani janë thirrur në mënyrë të rregullt.
Ai tha se nëse dikush e ka cenuar Kuvendin e Kosovës, është PAN me mospjesëmarrjen e tyre.
Sipas tij, institucionet e vendit duhet të krijohen sa më parë.
Hoti tha se institucionet i krijon shumica parlamentare dhe nëse PAN vazhdimisht trumbeton se i ka numrat sot do të duhej të thërriste mbajtjen e seancës dhe të krijonte institucionet.
“Ju thoni se i keni numrat e këndej nuk vini në seancë… kjo nuk është e dinjitetshme”, tha ai.
Hoxhaj: Seanca të mbahet më 24 gusht, janë pjekur kushtet për mbajtjen e saj
E plotësuar: Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në takimin konsultativ tha se janë pjekur kushtet për mbajtjen e seancës konstituive dhe tha se PAN propozon që seanca të mbahet javën e ardhshme, më 24 gusht.
Ai tha se nuk ka bllokadë në procesin e formimit të institucioneve.
Hoxhaj më tej shtoi se e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese të konsultohen me partnerët dhe sipas tij, tashmë janë pjekur kushtet politike për mbajtjen e seancës.
“Në konsulta me përfaqësuesit të AAK-së dhe Nismës ne mendojmë se seanca e radhës, ku do të merr pjesë koalicioni jonë dhe ku do të dalim me kandidatin për kryeparlamentar, e ai është Kadri Veseli të mbahet javën e ardhshme, më 2 gusht”, tha ai.
Fillon takimi konsultativ, nuk merr pjesë Vetëvendosje
Ka filluar të mbahet takimi konsultativ i kryesuesit të Kuvendit, Adem Mikullovci me përfaqësues të partive politike.
Në takim po marrin pjesë PDK-AAK-Nisma, LAA, minoritetet, ndërsa takimi është bojkotuar nga lëvizja Vetëvendosje.
Këta të fundit një ditë më parë thanë se nuk do të marrin pjesë në takim pasi sipas tyre konsultimet e mëtejme janë të panevojshme.
Ndërkaq, PAN po bojkoton seancat e Kuvendit të Kosovës ku duhet të jepej emri për kryeparlamentarin pasi sipas tyre ata ende kanë nevojë për konsulta shtesë. /Telegrafi/
Foto: Arkiv