Site icon Telegrafi

Fillon takimi i partnerëve të koalicionit i thirrur nga Haradinaj, mungon Kadri Veseli

Ka nisur takimi në mes kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj me liderët e koalicionit, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacollin.

Pjesë e këtij takimi nuk është kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Dhe në kohën kur po zhvillohet takimi, PDK ka lëshuar një komunikatë duke bërë të ditur se kryetari Veseli është i angazhuar me degët e kësaj partie.

“Në vazhdën e takimeve mobilizuese me degë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar kryesitë e degëve Pejë e Kamenicë. Veseli dhe anëtarësia e degëve biseduan për përgatitje që PDK dhe degët e saj po bën në terren në komunikim me strukturën dhe qytetarët. Ai tha se ka një angazhim maksimal nga strukturat dhe shumë qytetarë, të rinj e të reja po bashkohen për t’u bërë pjesë e fitores për Kosovën”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Ndryshe, lideri i AAK-së ka njoftuar se u ka dërguar ftesë Kadri Veselit, Fatmir Limajt e Behxhet Pacollit për të diskutuar situatën e fundit në vend, pas dorëheqjes së tij si kryeministër.

Një takim i tillë vjen pas situatës të krijuar politike, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

Ndërkohë, presidenti Hashim Thaçi akoma nuk i ka ftuar partitë politike në konsultime, ndonëse ishte paralajmëruar se një gjë e tillë mund të ndodhë këtë javë. /Telegrafi/

Exit mobile version