Telegrafi

Fillon shitja e hidrocentraleve

Drafti i cili ka shkuar në Komisionin e Ekonomisë dhe që pritet të votohet të mërkurën, fillimisht heq pronësinë e këtyre hidrocentraleve nga Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë dhe i organizon ato përkohësisht si shoqëri më vete. Por kjo vetëm për një periudhë shumë të shkurtër kohore, pasi menjëherë pas shkëputjes së tyre nga KESH do nise privatizimi.

Qeveria ka lënë të hapur të dy variantet e privatizimit në draft, qoftë atë të shitjes direkte, por edhe atë të koncesionit. Sipas draftit, blerësit do i ofrohen jo më pak se 51 për qind e aksioneve të çdo vepre. Të katra këto hidrocentrale kanë një fuqi të instaluar prej rreth 77 megavat e barabartë kjo me 5.3 për qind të fuqisë totale të KESH-it. Në vitin 2010 sipas të dhënave zyrtare të paraqitura në relacionin shoqërues të projektligjit, të katër këto hidrocentrale prodhuan në total rreth 406 milionë kilovat orë energji gati 5.5 për qind të totalit që u prodhua në vend.

Korporata Elektroenergjetike realizoi vitin e kaluar një xhiro prej rreth 200 milionë euro që do të thotë se me këto katër hidrocentrale qeveria po shet në treg një biznes i cili gjeneron mesatarisht 10 milionë euro në vit të ardhura. Qeveria parashikon t’i shesë hidrocentralet brenda këtij viti dhe madje në relacion thotë se paratë e arkëtuara do të përdoren për të financuar investimet e vitit 2011. Kjo praktike mund t’u hapë rrugën të tjera shitjeve të mëdha në fushën e energjetikes. /Telegrafi/