Sot ka filluar shit-blerja e duhanit nga prodhimtaria e vitit 2018. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, deri sot janë hapur 195 pika, në të cilat duhanxhinjtë mund ta shesin prodhimin e tyre. Ndërsa Inspektorati për Bujqësi ka kontrolluar të gjitha pikat e shit-blerjes.
Në prodhimtarinë e këtij viti janë mbjellur 14.802 hektar me duhan, ndërsa janë nënshkruar 34.104 marrëveshje me 9 ndërmarrje të shit-blerjes, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministri i Bujqësisë Ljupço Nikollovski, i cili sot nga Prilepi edhe zyrtarisht e njoftoi fillimit e shit-blerjes, tha se pret që shit-blerja të bëhet pa ndërprerje dhe me çmime stabile.
Nikollovski potencoi se këtë vit janë paguar mbi 28 milionë euro mbi bazë të modelit të ri për rritjen e subvencioneve për duhanin dhe sipas tij, kjo ka qenë më se e nevojshme për duhanxhinjtë.
Me modelin e ri të rritjes së subvencioneve, për nivelin e parë të duhanit subvencionet janë 80 denarë për kilogram, për nivelin e dytë 70 dnearë dhe për nivelin e tretë 60 denarë./Telegrafi/