Ambasada e Kosovës në Gjermani dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, duke filluar nga sot organizojnë një seri takimesh, që ka për qëllim promovimin e tregimeve të suksesit të bizneseve nga Kosova.
Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare tregon, që gjatë vitit 2020 do të ketë disa organizime në Gjermani.
“Jemi të nderuar që bashkë me Ambasadorin e Kosovës në Berlin, z. Beqë Cufaj, këtë vit do të organizojmë gjithsej katër ngjarje në Gjermani, për ta promovuar Kosovën si vend të mundësive për investime dhe për bashkëpunim”, theksoi Hasani, thuhet në njoftimin për media.
Tutje, ajo theksoi se mënyra më e mirë për ta promovuar vendin, është duke ndarë tregime suksesi nga vet bizneset gjermane që kanë investuar në Kosovë. Sipas Hasanit, ambasadorët më të mirë të vendit janë vet ndërmarrësit: “Ndërmarrësit kosovarë dhe ndërmarrësit gjermanë që kanë investuar në Kosovë e tregojnë një pasqyrë reale të të bërit biznes në vendin tonë. Pa zbukurime e pa premtime. Duke mos hezituar për të folur rreth vështirësive dhe mundësive të tejkalimit të tyre për të arritur deri te suksesi.”
Sot, në Ambasadën e Kosovës në Berlin, me ftesë të ambasadorit Cufaj, sukseset e tyre do t’i ndajnë Drejtorët e tre bizneseve nga bizneset anëtare të OEGJK-së: Oliver Winter, CEO i A&O Hostels, Hana Qerimi, COO dhe bashkëthemeluese e Shkollës Dixhitale, dhe Hubertus Rick, Drejtues i Ekipit në kompaninë Buchhaltung Discount Services.
Këto histori do të ndahen me audiencën gjermane për të ilustruar, se si një vendim i mirë mund të sjellë sukses të madh dhe zhvillim jo vetëm për biznesin, por edhe për vendin!
Me anë të serisë së takimeve, Ambasada e Kosovës dhe OEGJK synojnë që ta përmirësojnë sadopak imazhin e Kosovës në Gjermani, ta informojnë publikun gjerman për mundësitë e të bërit biznes në Kosovë dhe me kompani të Kosovës, si dhe të nxisin rritjen e investimeve gjermane në vend. /Telegrafi/