Telegrafi

Fillon seanca për shkarkimin e presidentit Meta, akuzohet për 16 shkelje kushtetuese

Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur rreth orës 10:00 seanca për të votuar, si asnjëherë më parë, shkarkimin e presidentit të republikës.

Kreu i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni prezantoi para deputetëve raportin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, raport i cili siç tha i është dërguar edhe kreut të shtetit dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

“Për shkak të volumit të madh, raporti i është dërguar deputetëve, presidentit dhe është publikuar në faqen e parlamentit. Në Kuvendin e Shqipërisë është dërguar kërkesa e 49 deputetëve për shkarkimin e presidentit. Kryetari i Kuvendit vuri në dijeni Kuvendin dhe Presidentin për kërkesën si dhe i përcolli Komisionit dokumentet shoqëruese. Komisioni për Çështjet Ligjore vlerësoi nëse ai është në dispozitë me kërkesat ligjore në fuqi dhe vendosi ngritjen e një Komisioni Hetimor”, deklaroi ai.

“Presidenti me veprimet e tij ka shkelur shumë nene të kushtetutës, të cilat konsiderohen si shkelje të rënda. Sjelljet e presidentit kanë pasur një ndikim shumë të keq në opinionin publik dhe në politikë”, deklaroi ai tutje.

Shumicës socialiste i duhen 94 vota për ta larguar presidentin Meta nga detyra përpara përfundimit të mandatit.

Lexo po ashtu Shkarkimi i Ilir Metës, Kuvendi i Shqipërisë mblidhet për votim

Para nisjes së seancës së sotme, Partia Socialiste ka mbledhur grupin parlamentar.

Komisioni parlamentar i ngritur për të hetuar veprimtarinë e Metas gjatë zgjedhjeve të 25 prillit i ka konsideruar “shkelje të rënda” qëndrimet dhe deklaratat e shprehura prej tij.

Në raportin përfundimtar prej 96 faqesh, thuhet se “Presidenti shkeli 17 nene të Kushtetutës” dhe se “këto shkelje konsiderohen nga komisioni si shkelje të rënda”.

Ndërkohë, kreu i shtetit e ka cilësuar Kuvendin që do të mblidhet për shkarkimin e tij “antikushtetues”. /Euronews.al/