Site icon Telegrafi

Përfundon seanca ndaj Gucatit, brenda 30 ditëve pritet aktakuza

E plotësuar: Ka përfunduar seanca e parë gjyqësore e Gjykatës Speciale ndaj kryetarit të OVL e UÇK-së, Hysni Gucati.

Në fjalën e tij Gucati tha se gjatë arrestimit të tij, oficerët janë sjellë në mënyrë të mirë me të.

“Arrestimi im prej Prishtinës deri në Holandë ka qenë mirë. Jam invalid i luftës me shkallën e invaliditetit 75%. Më kanë respektuar kur kanë kuptuar për problemet që kam. Edhe këtu në paraburgim po sillen në mënyrën më korrekte ndaj meje”, tha Gucati.

Ai tha se për ato se çfarë tha avokati ai nuk ka se çfarë të shtoj diçka tjetër.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ka ndërmend që brenda 30 ditësh të ngrehë aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.

—-

Seanca ndaj Gucatit, Prokurorja e Speciales thotë se brenda 30 ditëve do të dorëzojnë aktakuzë

E plotësuar: Seanca e parë gjyqësore ndaj Hysni Gucati është duke vazhduar.

Prokurorja e Speciales ka bërë të ditur se brenda 30 ditëve pritet që të dorëzohet aktakuza ndaj Gucatit.

“Duke pasur parasysh hapat hetimor, konfirmoj se Prokuroria e ka ndërmend të dorëzoj aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, tha Prokurorja. /Telegrafi/

—-

Seanca ndaj Hysni Gucatit, Gjykata jep arsyet e arrestimit të tij

E plotësuar: Kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati është paraqitur sot për herë të parë para Gjykatës Speciale.

I pyetur se a i është dorëzuar fletarrestimi në një gjuhë që e lexon dhe e kupton, Gucati tha po.

“Fletarrestimi më është komentuar në ditën e arrestimit”, tha Gucati.

Gjyqtari i procedurës tregoi mbi bazën e cilave dyshimeve është arrestuar Gucati.

“Më 24 shtator lëshova fletëarrestim pasi konstatova se ekziston dyshimi i bazuar se  i dyshuari Hysni Gucati mban përgjegjësi penale për veprat penale, frikësim, hakmarrje, dhe shkelje të fshehtësisë të procedurës sipas Kodit Penal të Kosovës.

I dyshuari u arrestua në Kosovë më 25 shtator 2020. Në të njëjtën ditë ai u transferua në paraburgim”, tha gjyqtari.

Gucati akuzohet për tri konferenca për shtyp që mbajti me datë 7, 16 dhe 22 shtator 2020, ku sipas arsyeve të arrestimit thuhet se në këto konferenca, Gucati vuri në dispozicion të mediave informacione dhe dokumente konfidenciale e jo publike që kanë të bëjnë me punën e  Gjykatën Speciale dhe përmendi disa emra dhe të dhëna personale të dëshmitareve të mundshëm, veprim ky i cili përbënë kërcënim të rëndë, dhe nxit një person të mos jep deklaratë ose të japë deklaratë të rreme.

Sipas fletarrestimit thuhet se arrestimi i Hysni Gucatit ka qenë i domosdoshëm pasi që ekziston rreziku i arratisjes së tij, ka motivin dhe mjetet e mundësinë për të penguar procesin penal, dhe do të përsëris sërish veprat penale. /Telegrafi/

—-

Fillon seanca e Speciales ndaj Hysni Gucatit

Ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK), Hysni Gucati.

Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version