Site icon Telegrafi

Fillon rrënimi i objektit që kishte bllokuar me vite rrugën e transitit të ri në Prizren  

Sot ka filluar rrënimi i objektit që kishte bllokuar rrugën e transitit të ri në Prizren me vite të tëra, saktësisht që lidh magjistralen për në Prishtinë dhe Gjakovë, nga hyrja e lagjes “Dardania” për në “Arbanë”.

Projekti i nisur vite më parë nuk është përfunduar në tërësi, pasi pronari i një shtëpie që ishte paraparë të rregullohet rruga nuk kishte arritur marrëveshje për kompensim të pronës.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj theksoi për TV Prizreni se infrastruktura rrugore është një tregues revelant i kualitetit të jetës në qytet.

“…Ne kemi pas një rrugë të ndërtume dhe kemi pas një situatë që për shkaqe të njohura kjo rrugë ka qenë e pamundur të shfrytëzohet… si qeverisje lokale kemi pas një ndër objektivat që të lehtësojmë qarkullimin dhe lëvizjen brenda qytetit…”, tha ai.

Sipas kryetarit të Prizrenit, më në fund interesi publik po jetësohet dhe tha se është një mundës më e madhe për lëvizje nga lagjja “Dardania” në lagjen “Arbana” dhe pret që brenda një afati të caktuar kohor të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik.

“… qyteti do të merr frymë më lehtë dhe i tërë qyteti do ta ketë një mundësi më tepër për të tërhequr investime… do t’i japim një impuls shtesë të zhvillimit të qytetit”, tha Totaj, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesi i familjes, Luan Kryeziu, tha se si familje kanë qenë në presion të ndërgjegjes sepse ka ra sikur po e bllokojnë rrugën.

“Jam përfaqësues i familjes… ne si familje kemi qenë nën presion të ndërgjegjes sepse ka ra sikur ne kemi qenë fajtor. Ne kemi kërkuar kompensim… kompensimi është shumë i vogël dhe po presim gjykatën, procesin e ardhshëm…Për ne ka qenë e rëndësishme të  lëshohet rruga dhe kemi gjetur njerëzit e duhur për të arritur marrëveshje”, tha ai.

Gjatë rrënimit të këtij objekti, ka asistuar policia, ndërsa situata ka kaluar e qetë dhe pa asnjë problem.

Exit mobile version