Mijëra përdoruesve të cilët ishin pezulluar më parë nga Twitter, duke përfshirë edhe anëtarëve të ekstremit të djathtë dhe përdoruesve të cilët shpërndanin dezinformata flagrante, kanë filluar t’iu kthehen llogaritë, kjo duke u bazuar sipas disa analizave të pavarura.
Rikthimi masiv i llogarive vjen pasi që pronari i ri i Twitter Elon Musk, në fund të muajit të kaluar tha se ai do t’ju ofronte “amnisti të përgjithshme” shumicës prej atyre që ishin larguar nga platforma. Megjithatë, në ndjekjen e këtij angazhimi, Musk rrezikon të tjetërsojë më tej përdoruesit dhe reklamuesit e tjerë dhe të përkeqësojë shqetësimet midis grupeve mbikëqyrëse rreth rritjes së gjuhës së urrejtjes në platformën nën pronësinë e tij.
Në mesin e llogarive të rikthyera së fundmi është një gamë e llogarive të mëdha dhe të vogla, duke përfshirë edhe përdorues të cilët promovojnë NFT dhe kriptovaluta, përdorues të cilët shkruajnë për sportin, ata të cilët shkruajnë edhe në gjuhë të tjera pos gjuhës angleze, e gjithashtu edhe përdorues të cilët duket se anojnë nga e majta dhe ata që janë pro-Trump, duke u bazuar në mbikëqyrjet e bëra nga CNN, transmeton Telegrafi.
Por llogaritë e rikthyera përfshijnë edhe figura të ekstremit të djathtë si për shembull Andrew Anglin, një supremacist i bardhë vetëshpallur i cili themeloi ueb-faqen neo-naziste “The Daily Stormer”, dhe Patrick Caseu, i cili lidhet me grupin e ekstremit të djathtë “America First” – “Amerika e Para” i cili edhe u thirr për dëshmi nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të 6 janarit për përfshirjen e tij në trazirat e Kapitolit.
Sipas CNN, një numër i madh i përdoruesve të kthyer këto ditë, duke përfshirë edhe ata që kanë mijëra ndjekës, nëpërmjet shkrimeve të para falënderuan Musk-un që i lejoi ata të kthehen në platformë. Disa prej tyre filluan menjëherë që t’i shpërndajnë teoritë konspirative mbi çështje si Covid-19 dje zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Amerikë.
Musk gjatë muajit të kaluar deklaroi se do të fillonte të rikthente shumicën e llogarive të suspenduara më parë në platformë, pasi kishte pyetur ndjekësit e tij në Twitter nëse do të ofronte “amnisti të përgjithshme për llogaritë e pezulluara, me kusht që ata të mos kenë shkelur ligjin ose të jenë përfshirë në shkrime skandaloze”. Sondazhi, i cili mblodhi më shumë se tre milionë vota, përfundoi me më shumë se 72 për qind që votuan në favor të propozimit për rikthimin e këtyre llogarive. /Telegrafi/