Telegrafi

Fillon regjistrimi shtesë i pronave të paluajtshme

Prishtinë, 4 dhjetor – Në këtë proces do të bëhet anketimi i të dhënave mbi tatimpaguesit dhe pronat e tyre, informacione këto që do të përdoren nga zyrat komunale tatimore dhe Departamenti i Tatimit në Pronë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave për të ndërtuar modelin e ri të vlerësimit të pronave për çështje të tatimit.

Duke ditur se vlera e pronës së paluajtshme e përcakton tatimin në pronë që duhet të paguhet, avancimi i modelit të vlerësimit të pronës së paluajtshme do të mundësojë një trajtim më fer dhe të drejtë të tatimpaguesve të tatimit në pronë. Avancimi i modelit të vlerësimit të pronave të paluajtshme në të gjithë Komunat e Republikës së Kosovës e vendos Kosovën ndër vendet që aplikon standardet ndërkombëtare të vlerësimit të pronave të paluajtshme.

Puna e anketuesve në teren, do të jetë regjistrimi i pronave të cilat janë të regjistruara në Zyrën Komunale të Tatimit në Pronë dhe evidentimi i pronave të reja, ku do të shënohen karakteristikat kualitative të jashtme me pajisjen GPS për anketim, siç janë: materiali ndërtimor, kualiteti i ndërtimit, fasada, forma e kulmit, materiali i kulmit, sipërfaqja e pronës, përdorimi i saj, fotografimi etj.

Anketuesit varësisht nga rrethanat janë të detyruar të bëjnë regjistrimin e çdo prone, andaj edhe kanë instruksione për të vepruar:

* Anketuesit do të hyjnë në çdo pronë me paralajmërim. Nëse tatimpaguesi nuk është në shtëpi, të dhënat mbi karakteristikat e pronës mund të merren, por anketuesi do të kthehet edhe njëherë për të marrë informata nga pronari/shfrytëzuesi.

* Anketuesit do të mund t’i marrin të dhënat mbi karakteristikat e pronës edhe nga distanca.

Implementimi i modelit të ri të vlerësimit të pronave dhe vlerat e reja të tyre planifikohet të implementohen për vitin fiskal 2011 pasi që të dhënat do të jenë mbledhur për të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës si dhe do të mund të përpunohen. Pas projektit pilot në Shtime dhe Fushë Kosovë të njëjtat të dhëna do të regjistrohen për të gjitha komunat e tjera të Republikës së Kosovës.

Të gjithë tatimpaguesit kosovar të tatimit në pronë do të kenë mundësinë që përmes procesit të ankesave në vitin 2011, pasi të marrin faturën tatimore, të bëjnë vërejtjet e tyre, në rast se do të verifikohet se ka pasur gabime. Pjesëmarrja e tyre përmes ankesave do të mundësojë përmirësimin e kualitetit të të dhënave të grumbulluara në terren dhe rrjedhimisht përmirësimin e administrimit të tatimit në pronë në Kosovë.

Për të gjithë tatimpaguesit e këtyre dy pilot komuna, ashtu si edhe për komunat e tjera kur të fillojë ky proces, do të shpërndahet në pronën e tyre nga një fletushkë që do të përmbajë informacione esenciale për këtë proces. Një kopje të saj po e dërgojmë edhe te ju.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Komuna e Shtimes dhe Fushë Kosovës (dhe më pas të gjitha komunat tjera) si dhe donatorët presin nga qytetarët bashkëpunim, duke i ofruar anketuesve informata dhe qasje në pronë.