Sot në Tetovë po zhvillohet protestë kundër hapjes së një kazinoje afër çerdhes “Rinia”, shkruan Telegrafi Maqedoni.
“E përkrahim këtë protestë pasi flitet për gjeneratat e reja, fëmijët tanë. Objekti i kazinosë është shumë afër institucionit tonë arsimor dhe kjo është palejueshme nga stafi dhe prindërit, por edhe sipas ligjit” tha U.D drejtori i çerdhes Rinia.
“Edhe sot u detyruam të tubohemi kundër lojërave të fatit dhe bixhozit. Këto vende janë për të varfëruar popullin. Në këtë rast joshin fëmijët tanë, që do ndikojë të ardhmen e tyre. Jemi larg zgjidhjes për të pastruar rrugët tona nga bixhozi. Pyesim qeverinë, ku ngeli ligji anti-bixhoz” tha Jushi Emurllai nga Lëvizja Anti-Bixhoz.
“Fenomenet devijante janë me qëllim për të dëmtuar indin e shoqërisë dhe për këtë jemi ne këtu për të qenë kundër një objekti të tillë që është i dëmshëm për shoqërinë, dhe në këtë rast për fëmijët tanë” tha profesori Musa Musai.
“Tetova është ngulfatur nga turpi i kazinove. Kjo tregon se ne kemi krizë të shtetit ligjor. Neve mundohen të na servojnë një metodë serb, rus e bullgar. Në SHBA bixhozi është i lejuar vetëm në tre shtete. Kurse tek ne, shteti është shndërruar në kazino. Bixhozi shkakton familje dhe rrënon ekonomi”, tha imami Nuhi Ganija, pjesë e organizimit të kësaj proteste.
“Nuk do lejojmë degradimin e shoqërisë sonë duke zëvendësuar reklamat e pampersave me reklama të kazinove”, u tha gjithashtu në protestë.
Organizatorët e mbyllën protestën me njoftimin se protesta e radhës do të mbahet në Shkup.
Protesta e sotme është mbështetur nga Lista “Më mirë për Tetovën”, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe Alternativa./Telegrafi/