Oda e avokatëve të RM-së (OARM) në bashkëpunim dhe me mbështetjen financiare të Ambasadës së SHBA-së në Shkup, Zyrën për luftë ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe zbatimin e ligjeve (INL), fillon me implementimin e projektit njëvjeçar ‘Trajnimi i avokatëve mbrojtës për Ligjin e ri për procedurë penale dhe Ligjin për përcaktimin e llojit dhe matjen e lartësisë së dënimit’, përcjell Telegrafi Maqedoni.
‘Mbrojtësit e luajnë rolin kryesor në vendosjen e sistemit bashkëkohor dhe përgjegjës të drejtësisë penale. Një prej reformave më të rëndësishme të sistemit juridik në Maqedoni ishte zbatimi i sistemit adversial, zhvillimi i qeverisjes të së drejtës dhe i respektimit të të drejtave të njeriut. Mu për këtë, qëllimi i projektit është zhvillimi i aftësive të avokatëve në lidhje me karakteristikat kyçe të Ligjit për procedurë penale dhe të Ligjit për përcaktimin e llojit dhe matjes së lartësisë së dënimit;, thonë nga OARM.
Arritja e këtij qëllimi, siç theksojnë, do të mundësohet vetëm përmes edukimit të vazhdueshëm të avokatëve mbrojtës dhe sferave të cilat konsiderohen si dobësi në ligjet e reja.
Trajnimi i parë, i cili ka të bëjë me Ligjin për procedurë penale (LPP), siç njoftojnë nga Oda e avokatëve, do të mbahet sot në Shkup.
Fjalim do të mbajnë Nikolla Dodevski, kryetar i OARM dhe Ajrin F. Mar, u.d. këshilltar, Zyra e Departamentit Shtetëror për luftë ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe zbatimit të ligjeve (INL), Ambasada e SHBA-së në Shkup. /Telegrafi/