Telegrafi

Fillon panairi i Berlinit, duartrokitet pjesëmarrja e Kosovës

“Është nder për ne që çdo metër i panairit është i mbushur me prezencën e shteteve de kompanive. Po ashtu është e veçantë ta prezantojmë që edhe Republika e Kosovës përfaqësohet në këtë panair”, ka deklaruar në ceremoninë madhështore të hapjes së panairit Raiumn Hosch, president i Messe Berlin.

Kjo përshëndetje është vlerësuar nga ana e ambasadorit të Kosovës në Berlin, Vilson Mirdita.

Sipas tij, ishte një ndjenjë e veçantë përshëndetja nga ana e presidentit të panairit të Berlinit, sepse janë më shumë se 187 shtete pjesëmarrës.

“Ishte një arenë shumë e mirë ta përfaqësojmë Kosovën përmes turizmit de kulturës“, tha Mirdita.

Gjatë ditë së sotme ambasadori Mirdita do të mbajë një konferencë për shtyp së bashku më zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, pasi ka një kërkesë të madhe të medieve gjermane.

Ndërsa ditën e premte do të ketë një takim me ministrinë e Ekonomisë së Republikës Federale Gjermane.

Kosova në këtë panair përfaqësohet në një stendë me hapësirë prej 20 metrash katrorë, ku së bashku me ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, janë edhe 20 agjenci turistike përfshirë dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Agron Mustafa, drejtor menaxhues ne ANP, pohoi se panairi Ndërkombëtar i Turizmit që po mbahet këto ditë në Berlin, është një mundësi e mirë për të promovuar kompaninë që ai drejton.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës së bashku me zyrtarët tjerë që përfaqësojnë republikën e Kosovës, marrin pjesë për herë të parë së bashku me 187 shtete tjera në këtë panair ndërkombëtar të turizmit”.

Sipas Mustafës, ky panair paraqet një vend shumë të mirë për të promovuar aktivitetet dhe mundësitë e ANP-së në përkrahjen e zhvillimit të turizmit në Kosovë.

“ANP-ja është ura lidhëse më e shpejtë në mes Kosovës dhe botës”, tha Mustafa.

Ndërkaq pronari i kompanisë “Eurokoha”, Remzi Ejupi, tha se është shumë me rëndësi që Kosova merr pjesë në këtë panair.

“Kosova për herë të parë merr pjesë si shtet dhe është pritur shumë mirë dhe ka peshë të madhe si politikisht ashtu edhe nga ana e marketingut. Besoj që djemtë që janë marrë me këtë kanë bërë një pjesë të madhe për një kohë të shkurtë dhe viteve të ardhshme do të jetë edhe më e mirë”.

Sipas tij, Kosova ka potenciale sidomos për zhvillimin e turizmit natyral-malor, i cili mungon në shumë vende dhe mund të përfaqësohet në këtë drejtim. /Telegrafi/