Site icon Telegrafi

Fillon ndërtimi i Rrugës së Arbrit

Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2 të rrugës së Arbrit, që përfshin segmentin dalje Ura e Vashës- Bulqizë.

Kryeministri e vlerësoi këtë rrugë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, duke e konsideruar atë si rruga e kombit shqiptar, rruga e bashkimit të shqiptarëve me kombe të tjera të rajonit. 

Gjithashtu, Berisha u ndal edhe në luftën me zero tolerancë kundër varfërisë, duke siguruar se qeveria “do të përballet në mënyrën më të ashpër me të dhe do ta luftojë atë në çdo skaj të këtij vendi”.

“Shqipëria do të ketë një kurs, do të ketë një drejtim, në të cilin nuk do të ketë dhe nuk do të mund të ketë të mjerë. Unë nuk them se ne do të çrrënjosim varfërinë, varfërinë nuk e çrrënjos dot as vendi më i pasur i botës, por mjerimin po. Për mjerimin do të ketë zero tolerancë”, nënvizoi kryeministri.

“Për ne, mbetet përpara një armik i egër, që është varfëria. Unë ju garantoj se ne do të përballemi në mënyrën më të ashpër me të. Jemi të vendosur ta luftojmë atë në çdo skaj të këtij vendi, jemi të vendosur ta luftojmë atë në çdo familje të këtij vendi. Varfëria kërkon një bashkëpunim, kërkon një luftë të përbashkët, kërkon që të mos e pranojmë atë, por aktivisht të luftojmë kundër saj. Në këtë kontekst, qeveria është e vendosur të shtrijë infrastrukturën në të gjithë vendin. Po ecën me shpejtësi unaza verilindore dhe juglindore, Kukësi dhe Peshkopia, Tropoja dhe Kukësi, Peshkopia dhe Librazhdi, do të bashkohen me rrugë automobilistike të parametrave ndërkombëtar” shtoi më tej Berisha.

Exit mobile version