Site icon Telegrafi

Fillon ndërtimi i gjashtë stadiumeve ndihmëse të futbollit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, që ishte i pranishëm në këtë ceremoni tha se ky është një nga momentet më të lumtura të tij, në të gjitha angazhimet e shumta që ka pasur dhe ka për ta zhvilluar sportin në Kosovë.

Ai shtoi se gjeneratat e reja të sportistëve do të kenë hapësira gjithnjë më të mëdha dhe më të mira për ta zhvilluar talentin, për të bërë gara cilësore qoftë në nivel vendi.

“Ne po krijojmë kushte që të nxjerrim edhe më shumë talentë, që në të ardhmen do të jenë krenaria jonë duke na përfaqësuar ne garat ndërkombëtare”, tha ai, teksa ka falënderuar Komisionin Evropian për mbështetjen që i ka dhënë MKRS-së, në veçanti për sportin.

Ministri Krasniqi tha se ky nuk është i vetmi lajm i mirë që sportistët tanë po marrin këtë vit.

“Më gëzon fakti që ndërtimi i këtyre gjashtë stadiumeve, po bëhet krahas renovimeve që kanë filluar në disa stadiume ekzistuese të futbollit, në 11 prej tyre, që është një investim milionësh i MKRS-së, që ka ndodhur për herë të parë. Bashkë me Komisionin Evropian, kemi nisur edhe një projekt tjetër shumë të rëndësishëm për sportin, siç është ndërtimi i Qendrës Multifunksionale në Mitrovicë, ku do të ketë terrene për sporte të ndryshme, renovim të tërësishëm të palestrës Minatori por edhe hapësirë afariste. Ky projekt kap shifrën e investimeve mbi 20 milionë euro”, tha ai.

Ministri po ashtu tha se investimet në infrastrukturës sportive do të vazhdojnë qoftë në rinovimin e stadiumeve ashtu edhe në ndërtimin e palestrave dhe poligoneve sportive.

Ndërtimi i gjashtë stadiumeve, Drenas, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj kap vlerën prej 3.5 milionë eurove. Ata do të ndërtohen sipas standardeve më të larta të UEFA-s dhe FIFA-s. /Telegrafi/

Exit mobile version