Site icon Telegrafi

Fillon “Manifesta”, konsiderohet ngjarja më e madhe kulturore në historinë e Kosovës

Kryeqyteti i Kosovës këtë vit është shndërruar në festival të artit dhe të arkitekturës.

Bienalja Nomade “Manifesta 14”  Prishtina ajo që ka sjellë në Kosovë artistë me renome botërore nga vende të ndryshme. Atyre në ekip u janë bashkuar edhe artistë dhe arkitektë tanë vendorë, të cilët ka disa javë që kanë filluar ndërhyrjet në objekte të ndryshme të kryeqytetit. Gjatë 100 ditëve të kësaj bienaleje këta artistë dhe arkitektë, së bashku me qytetarët dhe vizitorët, do të kenë mundësi të bashkëveprojnë me vepra artistike që paraqiten në “Manifesta”, i cili është festival i parë i tillë ndërkombëtar që organizohet në Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrullah Çeku, në një deklaratë për RTK-në gjatë hapjes së ceremonisë “Manifesta 14”, tha se Kosova jonë e vogël me zemër të madhe ka edhe kapacitet edhe vullnet për të mirëpritur ngjarje të rëndësishme të artit.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të kaluarën tonë. Është ngjarja më e madhe kulturore që mbahet ndonjëherë në historinë e Kosovës. Është me rëndësi për të ardhmen tonë sepse është dëshmia më e mirë që Kosova jonë e vogël e me zemër të madhe ka edhe kapacitet, dëshirë dhe vullnet për të mirëpritur ngjarje të rëndësishme të artit”, tha ai.

Çeku shtoi se kryeqyteti ynë tashmë është në grup me qytete shumë të rëndësishme evropiane.

“Është shumë me rëndësi ta potencojmë faktin se para Prishtinës ‘Manifesta’ ishte në Marsejë (Francë) e pas Prishtinës shkon në Barcelonë. Pra, kryeqyteti ynë është në grup me qytete shumë të rëndësishme evropiane. Kjo i bie që nuk dallojmë fort nga këto qytete dhe as nga shtetet e tjera”, shtoi Çeku.

 

Exit mobile version