Telegrafi

Fillon implementimi i fazës së II-të dhe III-të i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” në regjionin e Prishtinës

Ky projekt realizohet nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, Qendra Kombëtare për Edukim Shëndetësor Oral “DENT-IN” dhe Shoqata Kosovare e Studentëve të Stomatologjisë “KADS”.

Nga 1-21 qershor, 2013, realizohet faza e dytë dhe e tretë e projektit në Institucionet e arsimit fillorë dhe të mesëm të regjionit të Prishtinës, si në : Prishtinë, Podujevë, Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas dhe Lipjan. Janë rreth 250 shkolla fillore dhe të mesme që do të vizitohen deri në fund të këtij viti shkollor, tha Xheladin Ujkani- ideator dhe udhëheqës i projektit.

Gjatë ditëve në vazhdim, ne do të fokusohemi tek bashkëbisedimi me fëmijët mbi ushqimet e preferueshme dhe jo të preferueshme, si dhe në pastrimin e drejtë dhe të rregullt të dhëmbëve. Përmes nxënësve dhe mësimdhënësve që do të jenë prezent gjatë realizimit të aktiviteteve, do të barten informatat e nevojshme dhe të domosdoshme edhe tek pjesa tjetër e nxënësve në mënyrë që mos të pengohet procesi mësimor. Këto aktivitete janë të koordinuara në detaje edhe me drejtoratin e arsimit të kuvendeve komunale dhe me drejtorët e shkollave, të cilët janë shumë bashkëpunues, u shpreh Ujkani.

Faza e I-rë, e cila përfshin të gjitha Institucionet parashkollore mbështetet nga Klinika Dentare “Dent-In”, ndërsa faza e dytë dhe e tretë në Institucionet e arsimit fillorë dhe të mesëm të rajonit të Prishtinës, mbështetet edhe nga Kompania e Sigurimeve “ILLYRIA” si dhe nga Banka Raiffeisen në Kosovë.

Projekti ”Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, gjatë vitit shkollor 2013-2014, do të shtrihet edhe në rajonet e tjera të Kosovës, si në rajonin e Mitrovicës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës dhe Ferizajit.

Për informata më të hollësishme në lidhje me ecurinë e projektit, mund të kaloni në profilin e projektit në facebook : "Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur" ose në youtube : “DentinGroup”
Sponsor medial të projektit janë Radiotelevizioni 21 dhe Portali Informativ Telegrafi.com.