Filloi vendosja e shënimeve tek përmendoret dhe heqja e simbolit të Diellit të Verginës nga institucionet publike, hapësirat publike por edhe nga objektet publike.
“Për nder të Aleksandarit të Madh, figurë historike, që i përket historisë dhe qytetërimit antik helen dhe trashëgimisë kulturore dhe historike botërore. Këtu është paraqitur si luftëtari në kalë”, thuhet në shënimin e përmendores së “Luftëtarit në kalë” në qendër të Shkupit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Është vendosur shënim edhe tek përmendorja Olipija, ku përmendet se kjo figurë historike i takon historisë dhe qytetërimit helen.
Emri i përmendoreve mbetet i njëjtë, por theksohet se bëhet fjalë për figurat historike helee. Përmendore të tilla ka në disa qytete të vendit.
Shënimet e përmendoreve janë në tre gjuhë, gjuhë maqedonase, gjuhë shqipe angleze.
Krahas shënimeve nëpër përmendore, nisi edhe fshirja e Simbolit të Diellit të Verginës në institucionet publike, objektet dhe hapësirat publike. Në Shkup madje edhe kapakët e pusetave ndërrohen për shkak se kanë këtë simbol.
Heqja e këtyre simboleve vjen pas rekomandimit të Qeverisë në të cilin ju rekomandon njësive të vetëqeverisjes lokale të heqin Simbolin e Diellit të Verginës ndërsa i gjithë ky ndryshim vjen si pasojë e Marrëveshjes së Prespës./Telegrafi/