Site icon Telegrafi

Fillon heqja e barrikadës mbi urën e Ibrit në Mitrovicë (Foto/Video)

Ashtu siç është paralajmëruar, sot në orën 10 ka filluar heqja e barrikadës dhe rivitalizimi i urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

“Sot është ditë e mirë për të gjithë qytetarët. Sot po bëhet e mundshme që të bashkohën qytetarët e të lëvizin lirshëm me rivitalizimin e urës”, ka thënë Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës Jugore.

Sipas tij, ura do të hapet tërësisht.
“Ka me qenë rrethrrotullim, por edhe hapësirë sportive”, theksoi ai.

Bahtiri e arsyetoi mungesën e homologut të tij, kryetarit të Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq. “Pse ai nuk është prezent këtu është se z. Rakiq nuk gjendet në Kosovë”, tha ai.

Bahtiri po ashtu mohoi zërat se në vendin ku është barrikada do të vendoset një punkt i KFOR-it. “Kjo është absolutisht e pavërtetë“, tha ai.

Punimet në këtë urë po fillojnë pas marrëveshjes së kohëve të fundit ndërmjet ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe kryenegociatorit, Marko Gjuriq, implementimi i marrëveshjes nga Dialogu Beograd-Prishtinë,
lidhur me urën në Mitrovicë, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu BE: Ura e Mitrovicës, simbol i normalizimit të marrëdhënieve në mes komuniteteve

Sipas zyrës së BE-së, rivitalizimi i urës do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej.

“Ura e Mitrovicës pritet të hapet për këmbësorë dhe për automjete në të dyja drejtimet, sipas rekomandimeve nga vlerësimi teknik dhe dizajni arkitekturor për të cilin janë dakorduar të dyja palët, në qershor 2015. Bashkë me të dy kryetarët e komunave, një grup punues do të monitorojë dhe shqyrtojë rregullisht kushtet mbizotëruese politike dhe të sigurisë në ato komuna gjatë dhe pas procesit të rivitalizimit. Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, në pajtueshmëri me mandatet e tyre përkatëse, do të sigurojnë mjedis të qetë dhe të sigurt thuhet në komunikatën e zyrës së BE-së.

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian. /Telegrafi/



Exit mobile version