Site icon Telegrafi

Trump fillon hakmarrjen ndaj bashkëpartiakëve që nuk po e mbështetin për president

Donald Trump e quajti ish-ligjvënësen republikane, Liz Cheney, një nga zërat më kritikë republikanë ndaj tij, si një “skifter lufte” dhe sugjeroi se ajo nuk do të ishte aq e gatshme të dërgonte trupat amerikane në luftë nëse ajo vetë do të gjendej para një arme.

Vajza e ish-zëvendëspresidentit amerikan gjatë presidencës së George W. Bush, Dick Cheneyt, Liz u përgjigj duke e quajtur 78-vjeçarin një “njeri mizor dhe të paqëndrueshëm që dëshiron të jetë tiran”.

Gjatë një paraqitjeje të enjten në Arizona, së bashku me ish-gazetarin e Fox News, Tucker Carlson, Trump, 78-vjeç, u pyet për mendimin e tij rreth fushatës së Cheneyn kundër tij. Ish-ligjvënësja nga Wyoming ka qenë një kundërshtare e zëshme e Trump-it që nga sulmi i 6 janarit 2021 në Kongres dhe së fundmi ka shprehur mbështetje për Kamala Harris në garën presidenciale të këtij viti, duke marrë pjesë në tubimet e saj elektorale.

Trump e quajti Cheneyn “person të çmendur” dhe shtoi: “Arsyeja pse ajo nuk mund të më duronte është se gjithmonë ka dashur të shkojë në luftë. Nëse do të ishte në dorën e saj, ne do të ishim në luftë me 50 vende të ndryshme.”

Ish-presidenti gjithashtu tha: “Ajo është një skifter radikale lufte. Le ta vëmë përballë një arme, për të parë si reagon.”

“Është e lehtë të kërkosh dërgimin e 10 mijë trupave në prag të armikut nga një karrige në një zyrë në Uashington”, tha Trump.

Të premten, Cheney reagoi përmes platformës X, duke thënë: “Kjo është mënyra se si diktatorët shkatërrojnë vendet e lira. Ata që flasin kundër tyre i kërcënojnë me vdekje. Ne nuk mund t’ia besojmë lirinë tonë një njeriu të vogël, hakmarrës, mizor dhe të paqëndrueshëm, që kërkon të jetë tiran.”

Më herët, pasi ekipi i fushatës së zëvendëspresidentes dhe kritikë të tjerë të Trump-it në mediat sociale dënuan komentet e tij, zyrtarë nga fushata e ish-presidentit thanë se ai “po fliste për dëshirën e Cheney-t për të dërguar djemtë dhe vajzat e Amerikës në luftë, ndonëse ajo vetë nuk ka shërbyer kurrë në luftë”. /Telegrafi/

Exit mobile version