Telegrafi

Fillon fushata zgjedhore në Kosovë

Ndonëse për herë të parë në Kosovë do të mbahen dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë, fushata zgjedhore do të jetë më e shkurtër. Forcat kryesore politike dhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, janë pajtuar që fushata për zgjedhjet e 17 nëntorit të zgjasë vetëm tre javë.

Kjo për shkak të shmangies të tensioneve të mundshme politike gjatë aktiviteteve parazgjedhore, të cilat mbahen paralelisht me negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Pak ditë më parë më nismën e presidentit Fatmir Sejdiu subjektet politike kanë nënshkruar një deklaratë me të cilën janë zotuar për zhvillimin e një fushate korrekte dhe dinjitoze.

Forcat politike hyjnë në garë për të marrë pushtetin qendror dhe atë lokal me programet e tyre që përqendrohen në radhë të parë te pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi ekonomik, por nuk mungojnë as programet për qeverisjen e mirë, arsimin, shëndetësinë e mirëqenien sociale.

Ndonëse fushata zgjedhore zyrtarisht filloi të enjten shumica e subjekteve politike i kanë nisur aktivitetet e tyre disa ditë më parë.

Posterë e materiale të tjera propagandistike me përmbajtje partiake kanë mbuluar vendin ditëve të fundit, ndërsa disa parti politike tashmë kanë mbajtur edhe takimet e para me elektoratin e tyre.

 

Megjithatë zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm, ka deklaruar për radion “Blue Sky” se fushata elektorale fillon sonte pas mesnate, pra dita e parë e fushatës zgjedhore për partitë politike do të jetë nga dita e nesërme.

Në zgjedhjet e 17 nëntorit do të garojnë 97 subjekte politike të të gjitha komuniteteve.

Të drejtën për të votuar do ta kenë rreth 1 milion e gjysmë qytetarë të Kosovës. /bbc/