Në komunën e Malishevës ka filluar fushata e korrje-shirjeve, ndërkaq u tha se moti ndikoi dukshëm në uljen e rendimentit të grurit.
Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural Sylë Dukolli tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për një mbarëvajtje sa më të mirë.
Ai tha se Shtabi komunal për korrje – shirje ka përgatitur planin operativ dhe do të punojë sipas rregullores për korrje- shirje.
Sipas tij, aty parashihet edhe çmimi për hektarë të cilin e ka rekomanduar MBPZHR-ja prej 130 euro.
“Nga terreni informohemi se rendimentet e grurit varijojnë nga 2000 kg për ha, deri në 3000 kg për ha, pra edhe këtë vit kushtet klimatike ndikuan dukshëm në uljen e rendimentit të grurit jo aq kënaqshëm, sa edhe ishin pritjet”, tha ai.
Më tej u tha se nëse mbretëron koha me mot të mirë, fushat e korrje-shirjeve në Komunën e Malishevës, pritet të përfundojë brenda afatit prej dy javësh të paraparë sipas shtabit komunal për korrje-shirje. /Telegrafi/