Telegrafi

Fillon festivali i Durrësit

Në bulevard janë fiksuar afishet me simbol një gladiator. Në ambientin e menduar si muze provizor i piktorit me origjinë nga Durrësi, Ibrahim Kodra, një punonjës po merret me imitimin gjigant të gladiatorit, projektuar nga skulptori Sadik Spahija që do të jetë edhe në të ardhmen përveçse statuetë i çmimeve, edhe një nga simbolet që do të vendoset në amfiteatër.

Nga afishet e shumta ngjan sikur të ketë dalë në rrugë një ushtri gladiatorësh… Pritet ndeshja. Durrësi është vërtet në prag të një ndeshjeje artistike, që zgjat për 9 ditë, në dy arena.

Megjithëse e mbingarkuar, një nga personat e stafit organizativ, Anila Varfi, na thotë se listës së të ftuarve i është shtuar në momentet e fundit, emri i aktorit të njohur serb Rade Sherbedzhija, i cili është në ekipin e filmit kroat “Mrekulli e vërtetë”, si dhe aktori 63- vjeçar Jiri Menzell, fitues i çmimit Oskar në moshën 28-vjeçare. Ai vjen me filmin anglo-çek “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”.

Festivalin do ta hap filmi shqiptarë “Koha e kometës” e regjisorit shqiptar Fatmir Koçi. Ky film është bazuar në romanin e Ismail Kadaresë “Viti i Mbrapshtë”.

Filmi zgjat 103 minuta. Paralelisht në amfiteatër do të shfaqen një kolazh me filmat më të mirë shqiptarë. Në orën 23.00, po në kinemanë e Pallatit të Kulturës, shfaqet filmi serb “Kuajt e zinj”.

Në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Durrësit kanë aplikuar 51 filma nga 23 shtete të ndryshme të botës, nga të cilët janë përzgjedhur 16. Këta garojnë për 5 çmime. Çmimi i madh i Festivalit është “Gladiatori i Artë”.

“Festivali është një mënyrë e re për të promovuar filmin shqiptar. Në vendin tonë, organizohet vetëm një festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar, çka e bënte të nevojshme institucionalizimin e një veprimtarie të re me përmasa ndërkombëtare, që do të sjellë vlera dhe do t’ua bëjë të njohur realitetin shqiptar të ftuarve nga bota”, ka thënë drejtori i Qendrës Kinematografike Shqiptare, Xhevdet Ferri.