Kompania belge „Van Hool“ sot do ta fillojë fazën e dytë të investimeve në Maqedoni, me të cilën parashihet ndërtimi i një fabrike të re në Drejtorinë për zonat zhvillimore teknologjike industriale, Shkupi 2 – Ilinden, në të cilën, siç u paralajmërua në fillim të këtij viti do të prodhohen autobusë për tregun evropian, bën të ditur Telma, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Siç u bë publike në fund të janarit të këtij viti, investimi i kompanisë belge do të jetë në vlerë prej 15 milionë euro, ndërsa duhet të realizohet në katër vitet e ardhshme. Në fabrikë duhet të punësohen 400 punëtorë, ndërsa pritjet janë që deri në vitin 2019, numri i përgjithshëm i të punësuarve në “Van Hool“ në Maqedoni të arrijë 1.250.
Në fabrikën e parë të cilën kjo kompani e hapi në Maqedoni, janë duke u prodhuar autobusë për tregun amerikan.
Kompania belge „Van Hool“ është themeluar në vitin 1947, ndërsa selinë e ka në Koningshooikt. Pjesën më të madhe të prodhimeve kjo kompani e plason në tregjet e Evropës dhe ShBA./Telegrafi/