Site icon Telegrafi

Fillon dekorimi i objektit të Qeverisë së Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë (Foto)

Në nder të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë se Kosovës, ka filluar dekorimi i objektit të Qeverisë së Kosovës.

Flamuri i Kosovës i cili pritet ta mbulojë njërën nga ballinat e Qeverisë së Kosovës, do të ketë një gjatësi prej 52 metrave.

“Dekorimet tashmë kanë nisur dhe ato do të zgjasin edhe nesër. Gjithashtu, edhe dritave në shesh do ju vendosen reflektues shtesë me ngjyrat e flamurit tanë, kaltër dhe verdhë. Por, pjesë e dekorimeve është edhe flamuri i madh me 52 metra gjatësi dhe 21 metra gjerësi në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Adil Behramaj pjesë e Këshillit Organizativ për Shënimin e Pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, sot ka nisur shpërndarja e disa ikonave të mëdha nëpër qytete për 10 vjetorin e pavarësisë.

Ikonat #kosova10, që janë edhe hashtag zyrtar i këtij dhjetëvjetori, me rreth 8 metra gjatësi dhe rreth 1.5 metra lartësi, mësohet se do të shpërndahen në dhjetë komuna të Kosovës.

Shpërndarjen e tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

“Po, sot kanë nisur edhe zyrtarisht aktivitetet dhe dekorimet. Edhe komunave u është kërkuar që t’i nisin dekorimet prej sot. Gjithashtu, ka nisur edhe shpërndarja e 10 ikonave me hashtagun e dhjetëvjetorit, të cilat do vendosen në gjithsej 10 komuna, shtatë prej tyre në qytetet më të mëdha dhe në tri të tjera më të vogla”, ka thënë ai për Telegrafin.

Gjithashtu, edhe sheshi në Prishtinë, ka fillur të dekorohet. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version