Site icon Telegrafi

Fillon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës ka filluar sot, 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator 2019.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.

Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë.

Në këtë afat të përcaktuar nga KQZ-ja, aplikimi për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të bëhet përmes këtyre mundësive: fahut postar të KQZ-së; fax-it të KQZ-së dhe përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së.

Të gjitha informacionet e detajuara dhe se si të aplikohet për regjistrim janë të publikuara në këtë vegëz: http://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/“, thuhet në njoftim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj edhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version