Site icon Telegrafi

Fillojnë punimet për Zonën Ekonomike në Viti

Kanë filluar punimet për ndërtimin e Zonës Ekonomike në Viti, përkatësisht në fshatin Budrigë, ku përfundimi i kësaj zone u tha se do të bëhet në kohë sa më të shpejtë të jetë e mundshme, për të ju mundësuar bizneseve që të investojnë në këtë Komunë.

Për të përuruar fillimin e punimeve ishte edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani si dhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Me këtë rast, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se kjo Zonë Ekonomike është shumë e rëndësishme për bizneset e Anamoravës dhe për Vitinë.

Po ashtu, ministri Hasani tha se Qeveria e ka ndarë mendjen për të fuqizuar bizneset. “Sot së bashku me kryetarin e komunës kemi dal për ta përuruar këtë zonë ekonomike që besojmë është shumë e rëndësishme për Anamoravën, për Vitinë në përgjithësi. Për shkak se është si zonë mes Gjilanit dhe Vitisë do të thotë mund ta shfrytëzojnë të gjitha bizneset që operojnë. Besojmë se kjo Qeveri e ka ndarë mendjen në fuqizimin e bizneseve dhe në fuqizimin e prodhimeve është edhe vendimi i kaluar që kemi marrë për heqjen e të gjitha taksave barrierave të gjitha linjave të prodhimit, lëndës së parë, gjysmë produkteve. Kështu qe ne do të vazhdojmë me fuqizimin e të gjitha zonave ekonomike që janë në procedurë, por sidomos të kësaj zone do ti japim prioritet dhe besojmë që siç e tha kryetari në periudhë sa më të shkurtër do ti përmbyllim punimet”, tha ai.
Ministri Hasani tha se kjo zonë është një inkurajim për bizneset e Anamoravës që të investojnë pasi qe nga tani sipas tij e kanë një dorë të fuqishme të shtetit që do ti përkrahë dhe do të jetë pranë tyre.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se këtë Zonë Ekonomike e kanë dashur që shumë kohë dhe se kjo zonë do ti shërbejë jo vetëm Vitisë por tërë regjionit.
“Zona ekonomike do shërbej jo vetëm Vitisë, por tërë regjionit prej shtatë komunave prej Gjilanit deri në Ferizaj. Për shkak se shtrihet përgjatë magjistrales Ferizaj-Gjilan dhe patëm një takim të shkëlqyer me ministrin ku u dakorduam që kjo zonë të përshpejtohet dhe dy vitet e ardhshme të investohet në mënyrë që sa më shpejt të rrumbullakohet “, tha ai.

Haliti tha se ka interesim për investime nga investitorë gjermanë, zviceranë, austriakë, anglezë dhe hungarezë.

Zona Ekonomike e Vitisë do të jetë në fshatin Budrigë përgjatë magjistrales Ferizaj-Gjilan. /Telegrafi/

Exit mobile version