Telegrafi

Fillojnë punimet për zgjerimin e sheshit “Adem Jashari” në Skenderaj

Sot në Skenderaj kanë filluar punimet për zgjerimin e sheshit “Adem Jashari”, projekt ky i financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se sheshi “Adem Jashari” do të jetë më i bukur dhe më i gjerë për të gjithë qytetarët, por edhe ata që vijnë ta vizitojnë Skenderajn.

“Sot bëmë inaugurimin apo fillimin e punimeve të zgjerimit të sheshit “Adem Jashari”, në vlerë 175 mijë euro, që do të bëhet një shesh më i bukur më i gjerë për të gjithë qytetarët e komunës sonë, por edhe ata vizitorë që vijnë ta vizitojnë Skenderajn dhe Drenicën”, tha Jashari.

Zëvendësministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Esat Rraci, në fillimin e punimeve për zgjerimin e sheshit “Adem Jashari”, në Skenderaj, tha se projekti është investim i MZHR-së në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt.

“Ky projekt është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt. Ministria jonë përveç këtij projekti në Skenderaj ka investuar edhe në vitin e kaluar”, tha ai.

Ndryshe, kohëzgjatja e kontratës është 120 ditë. /kp/Telegrafi/