Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, së bashku me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, zëvendësministrat Hanefi Muharremi dhe Fehmi Mujota në fshatin Prelez i Jerlive inauguruan fillimin e punimeve në asfaltimin e rrugës Prelez i Jerlive – Muhoc – Lloshkobare të Ferizajt.
Ministri Zharku uroi qytetarët e komunës së Ferizajit për këtë projekt dhe projektet e tjera që do të realizohen në komunën e Ferizajt dhe i siguroi ata se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës në të gjithë vendin.
“Sot, jemi bashkë në Ferizaj me kryetarin Sfarqa, me dy zëvendësministrat dhe strukturat e tjera, për inaugurimin e kësaj rruge, Prelez i Jerlive – Muhoc – Lloshkobare. Ky investim i Ministrisë së Infrastrukturës është në vlerë rreth 700,000.00 euro, ka një gjatësi rreth 4 kilometra dhe gjerësi prej 6 metrash. Përveҫ kësaj, ne do të vazhdojmë së shpejti edhe me rrugën tjetër Babush – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë. Jemi duke bërë zgjerimin e rrugës ”Brahim Ademi” & Driton Islami”, ndërsa në vitin tjetër do të vazhdojmë edhe me shumë projekte të tjera. Qeveria do të vazhdojë të përkrah qytetin e Ferizajit në përmirësimin e infrastrukturës edhe në vitet e tjera”.
Kryetari Sfarqa falënderoi ministrin Zharku për investimet e bëra në këtë komunë nga Ministria e Infrastrukturës.
“Sa herë që fillojnë investime e reja në infrastrukturën e Ferizajt, për qytetarët e kësaj ane dhe për mua si kryetar i Ferizajt është një moment gëzimi. Qeveria e Republikës së Kosovës po tregon një vëmendje më të madhe për qytetin tonë në raport me të gjitha qeverisjet e kaluara. Me investimet e bëra po mundësohet qarkullimi më i mirë i qytetarëve duke ndihmuar në zhvllimin e përgjithshëm të komunës sonë. Kjo rrugë, e cila lidh dy magjistralet është e një rëndësie të veҫantë sepse do të lehtësojë komunikacionin për qytetin tonë”, tha Sfarqa.
Ministria e Infrastrukturës do të realizojë edhe projektin e asfaltimit të rrugës Babush – Tërrn – Luboc – Koshare – Slivovë.
Sipas memorandumit për financim të projekteve të nënshkruar nga Ministri Zharku dhe kryetari Sfarqa, në Ferizaj do të realizohen edhe disa projekte tjera.
1. Ndërtimi i unazës së jashtme në Ferizaj (Prelez i Jerlive, Kosinë, Llojzë – Dramjak – Nerodime);
2. Ndërtimi i nënkalimit për automjete (te hekurudha), në fshatin Varosh;
3. Zgjerimi i rrugës Komogllavë – Tërstenik – përmes lagjes Qarkosh (Ferizaj – Viti)
4. Asfaltimi i rrugës Greme – Burrnik – Gaçkë (Ferizaj – Shtërpcë)
Projektet e përfunduara në këtë vit, të financuara nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Ferizajt janë:
• Ndërtimi i nënkalimit në fshatin Sojevë;
• Asfaltimi i rrugës Ferizaj – Nerodime (Ura e Islamit) – Jezerc;
• Ndërtimi i rrugës “Mushtisht-Budakovë-Jezerc“;
• Asfaltimi i rrugës “Besim Ndrecaj” kazerma e FSK-së – Epopeja e Jezercit;
Ndërsa në realizim e sipër është projekti, i zgjerimit të rrugës ”Brahim Ademi” & Driton Islami”. /Telegrafi/