Telegrafi

Fillojnë para-porositë për BlackBerry Classic, paraqitet në dhjetor

BlackBerry Classic tashmë ka filluar të shitet me para-porosi në dyqanet e BlackBerry në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA, për çmime që fillojnë prej £349 apo $449.

Kompania e njohur kanadeze ka thënë se pritjet e saj janë që dërgesat dhe shitjet fizike të telefonit të saj të ri të fillojnë nga mesi i muajit dhjetor.

Modeli i ngjashëm me BlackBerry Bold, Classic përsëri sjell tastierën fizike dhe butonat e famshëm për navigim.

Mirëpo, kësaj radhe dallimi në versionin e ri të telefonit është 10.3.1 OS që adreson disa nga problemet e mëparshme të modeleve të kaluara të telefonave.

BlackBerry ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Amazon, që nënkupton se shumica e aplikacioneve mobile të sistemit më të madh operativ Android do të jenë në dispozicion për përdoruesit e telefonit të ri, të cilët mund të qasen në aplikacione përmes dyqanit virtual të aplikacioneve.

Me gjithë dallimin në dizajn, BlackBerry Classic sjell edhe karakteristika konkurruese me modelet më të avancuara të telefonave aktual në treg, duke përfshirë procesorin dual-core 1.5GHz, 2GB RAM me 16GB memorie të brendshme që mund të zgjerohet me microSD kartelë.

Madhësia e ekranit të Classic është 3.46” me rezolucionin prej 720 x 720 HD dhe 291 ppi, ndërsa kamera e pasme e telefonit sjell 8MP, me atë të përparmen me 2MP. (Telegrafi)