Sot kanë filluar matjet për të vazhduar më pas me fillimin e testimeve për stabilitetin infrastrukturor të urës mbi lumin Ibër, në Mitrovicë.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin, zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Ai tha se pasi t’i bëjnë matjet, më pas do të fillojnë me testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës.
“Kemi filluar, pasi kemi një kontratë për fillimin e stabilitetit të urës. Fillimisht kemi bërë matjet dhe mandej kanë me i kry testimet”, ka thënë shkurt Durmishi.
I pyetur se a ka qenë i shoqëruar me ministrin e MPB-së, Xhelal Sveçlën dhe ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqin ai tha se: “Ata i kanë pasur punët e tyre dhe jemi takuar rastësisht në Mitrovicë”.
Ndryshe ditë më parë, kryeministri i vendit Albin Kurti gjatë një takimi që ka zhvilluar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it ka diskutuar edhe mbi zbatimin e marrëveshjes së urës së Ibrit, duke ritheksuar se hapja e urës duhet të ndodhë dhe se kjo nuk është kundër askujt.
“Ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime. Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër.
Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.
Megjithatë, shtetet e QUINT-it e kanë kundërshtuar planin e qeverisë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës. /Telegrafi/