Telegrafi

Fillojnë hetimet ndaj gazetares që bëri fyerje racore gjatë prezantimit të Camavingas, derisa mendoi se mikrofoni ishte i fikur

Një gazetare spanjolle është nën hetim për komentet që bëri gjatë prezantimit të mesfushorit të ri të Real Madridit, Eduardo Camavinga.

Lorena Gonzalez, një analiste e rregullt për transmetuesin spanjoll RTVE, u kap duke thënë ‘ky djalë është më i zi se kostumi i tij’ ndërsa ajo ishte jashtë kamerës në emisionin e së mërkurës.

RTVE ka dënuar komentet e Gonzalez, duke thënë se ajo “tregoi një mungesë respekti dhe nuk janë të papërshtatshme për një kanal televiziv publik”. Në deklaratë ata gjithashtu i kërkuan falje Camavingas dhe ‘dënuan’ me vendosmëri ‘komentet denigruese’.

Gonzalez gjithashtu ka kërkuar falje për veprimin e saj, duke bërë postime në mediat sociale për t’i kërkuar  ‘falje më të sinqertë për këdo që ndihej i ofenduar’.

“Komenti im, i cili u bë pa keqdashje ose mosrespektim ndaj lojtarit, ishte sidoqoftë për të ardhur keq”, postoi ajo. “Ishte një krahasim që mund të kisha bërë për çdo person të çdo ngjyre”.

“Por, unë e kuptoj dhe ndiej se në këtë kohë të ndjeshme që po kalojmë, edhe pse unë gjithashtu besoj se gjërat po radikalizohen dhe politizohen, media ka një përgjegjësi edhe më të madhe për të ndihmuar në luftën kundër racizmit dhe çdo forme të pabarazisë së padrejtë “.

Camavinga mbërriti në Bernabaeu në ditën e fundit të afatit dhe pritet të luajë një rol kyç në mesfushën e Carlo Ancelotti këtë sezon.

Ai bëri emrin e tij në skuadrën franceze Rennes, duke u bërë lojtari më i ri që ka përfaqësuar ndonjëherë klubin.

Camavinga dhe shokët e tij të skuadrës në Real Madrid janë përsëri në aksion të dielën në mbrëmje kur do të përballen me Celta Vigon në kryeqytetin spanjoll. /Telegrafi/