Site icon Telegrafi

Fillojnë aplikimet për mbështetje financiare për familjet që kanë humbur personat nga COVID-19

Foto: Arkiv

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se ka hapur aplikimet për familjet që kanë humbur personat nga COVID-19.

Sipas MFPT-së, kjo mbështetje është në kuadër të masës 3.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

“Në zbatim të masës 3.1, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me COVID-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1,500 euro. Sidoqoftë, duke konsideruar që stafi mjekësor në sektorin publik ka bartur barrën kryesore në ruajtjen e shëndetit publik, dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi COVID-19, familjet e tyre do të kenë një mbështetje të veçantë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Aplikimi për masën 3.1 dhe do të bëhet në mënyrë elektronike në https://masa3-1.rks-gov.net dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 nëntor 2021.

MFPT thotë se aplikimet trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.

Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë:
Certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe
Kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit.

Vlen të theksohet që pas datës 1 tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me COVID-19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version