Telegrafi

Filloj rrënimi i objekteve pa leje në kryeqytet

Zyrtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, kanë thënë se në orët e para të aksionit nuk ka pasur probleme dhe pronaret e lokaleve nuk kanë reaguar ashpër as nuk kanë tentuar ta ndërpresin punën e tyre.

Siç kanë njoftuar ata, gjatë terë ditës, inspektorati do të vazhdojë të bëjë lirimin hapësirave publike në disa pjesë të qytetit, ku do të largohen objekte montuese, rrethoja të ndryshme, mbuloja statike, objekte reklamuese, terasave verore para lokaleve hoteliere, si dhe do të mbyllet një podrum në rrugën “Qamil Hoxha”.

Të gjitha këto objekte sipas tyre janë ndërtuar pa leje të organit kompetent komunal. “Sot dhe nesër është planifikuar të lirohen hapësirat publike në rrugët ‘Qamil Hoxha”, “Fehmi Agani”, “Garibaldi”, si dhe në lagjet “Ulpiana” dhe “Veternik”, kanë njoftuar zyrtarët komunal.

Ata kanë thënë se puna e inspektorëve komunal do të jetë e përhershme deri në lirimin e plotë të hapësirave publike në qytet. “Inspektorët komunal do të mbështeten nga Policia e Kosovës, dhe nga punëtorët e N.K. “Hortikultura", kanë potencuar ata.