Telegrafi

Filloi vaksinimi në Maqedoni, shumica e rasteve të reja janë me mutacionin britanik

Foto: Arkiv

Vaksinimi kundër coronavirusit në RMV ka nisur dje në spitalin modular të Klinikës për Sëmundje Infektive. Me vaksinat “Pfizer” u vaksinuan mjekja dhe infermierja kryesore në Klinikë, ndërsa më pas edhe të punësuarit në këtë institucion shëndetësor.

Për momentin plani është që vaksinimi të zhvillohet në Shkup, ndërsa të punësuarit në covid-qendrat në spitalet tjera, do të vaksinohen gjatë fundjavës ose në fillim të javës së ardhshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pika në spitalin modular, ku ka gjashtë pozicione vaksinimi, funksionon në dy ndërrime nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 8 pas mbrëmjes dhe vaksinimi kryhet nga ekipet mjekësore nga Qendra Shëndetësore Shkup.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tha se analiza e fundit tregojnë se 50 për qind e rasteve me Covid-19 i përkasin mutacionit britanik të virusit.

“Këtë mëngjes, arritën informacione të reja se është gjithnjë më e madhe përqindja e numrit të përgjithshëm të gjenomëve të analizuar nga testet e bëra, nga janari deri më tani, në fillim kur u zbulua dhe më pas në një periudhë kohe – njëzet ditëshe. Sidoqoftë, nga analizat e fundit 50 përqind tregojnë për atë mutacion të virusit. Deri më tani, nuk shohim ndryshim drastik ose ndonjë ngarkesë në sistemin shëndetësor në pjesën e spitaleve”, tha Filipçe.

Ndryshe, deri më tani, 4,000 punëtorë shëndetësorë janë regjistruar për vaksinim, nga të cilët rreth 2,000 janë në Shkup, dhe të tjerët nga qytete të tjera. Për çdo punonjës shëndetësor që vaksinohet, menjëherë sigurohet doza e dytë për rivaksinim.

Imunizimi në spitalin modular kryhet me 4,680 nga 8,000 doza të planifikuara të vaksinave nga prodhuesi “Pfizer”, të cilat RMV i mori si donacion nga Serbia./Telegrafi/