Telegrafi

Filloi t’i bënte një pyetje, senatori republikan ndjehet në siklet – i rrëmben celularin studentit (Video)

Senatori republikan David Perdue thuhet se u filmua duke marrë një telefon celular nga një student i kolegjit, i cili e pyeti atë rreth “presionit” ndaj votuesve në Georgia.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, videoja e incidentit ishte realizuar derisa Perdue ishte në një kampus universitar për të promovuar sekretarin e shtetit të Georgias, Brian Kemp për guvernator.

Kemp po kandidon kundër kandidatit demokrat Stacey Abrams dhe ai tërhoqi kritika javën e kaluar pasi mediat kishin raportuar se zyra e tij kishte “ngrirë” 53,000 regjistrime të votuesve përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Siç thuhet më tej, më shumë se 70% e regjistrimeve të “ngrira” ishin të lidhura me afrikano-amerikanët.

Po sipas mediave, studenti i afrohet senatorit Perdue, duke e pyetur: “Si mund të promovoni një kandidat…”, pyetje të cilën senatori ia ka lënë në gjysmë, duke i rrëmbyer celularin.

Gjithsesi, bëhet e ditur se më vonë Perdue i ka kthyer telefonin studentit. /Telegrafi/