Site icon Telegrafi

Filloi të shkruhet enciklopedia e vërtetë!

Enciklopedia reale, me pretekst të një enciklopedisë joreale, filloi të shkruhet prej atij momenti, kur albanofobët dhe historio-demagogët, duke e shfrytëzuar edhe pushtetin absolut të tyre, ia morën kompetencat dhe detyrat, albanologëve dhe historiografikëve të mirëfilltë shqiptarë. Fatmirësisht, ky akt vandal i kësaj akademia dhe këtij pushteti, nuk u pritë me duartrokitje dhe heshtje, por me reagime të shumta dhe tejet shkencore!

Reagimet dhe mobilizimi i elitës intelektuale dhe politike, kundër kësaj enciklopedia vrastare, dëshmoi qartë dhe bindshëm se, maltretimet, ofendimet, margjinalizimet dhe tjetërsimet, ky popull i shumëvuajtur nuk i duron më. Durimi i etnitetit shqiptar, ka mbërritur prej kohësh në kufirin ekstrem, ku si i tillë nuk mund të qëndroj më. Pra, patjetër duhet të shpërthej, për ta manifestuar llavën përvëluese kundër palës keqbërëse!

Pala maqedonase i harxhoi të gjitha truqet, mundësitë dhe taktikat e të bërit keq shqiptarëve. Eksperimentet vrastare të palës tjetër, të paktën pas kësaj enciklopedia, shpresojmë që nuk do na përsëriten, ngase i madh e i vogël e kuptojë se, të tjerët apo populli pa identitet, pa mëshirë, si dhe i pa mëshiruar, dëshiron të gjallë të na fus në varrë, edhe atë jo në tokat tona autoktone, por në male diku, prej atje nga kishim ardhur!

Por, për kauzën kombëtare shqiptare, lansimi i një enciklopedie të tillë, ishte një rast i mirë, për qërimin e hesapeve të gjithhershme. Ky rast, është një rast tejet i volitshëm që të bëhet ndarja e shapit prej sheqerit, apo të precizohet dhe saktësohet se, kush është shap e kush sheqer, si dhe cilat të drejta dhe obligime i takojnë të dyve.

Kronologjia e ngjarjeve të tmerrshme në këtë shtet, ishte me të vërtet tejet e dhimbshme dhe e papërshkrueshme për neve, duke filluar që nga themelet e dyshimta të këtij shteti, e deri te kulmi improvizues (shfaqja e kësaj enciklopedie). Lutemi që kjo ngjarje skandaloze dhe tendencioze të jetë mejdani, ku do ta marrim sqarimin e shumëpritur, të përhershëm dhe përfundimtarë.

Mobilizimi i të gjithë kokave intelektuale, i opinionit të gjerë dhe i elitës politike shqiptare, me reagimet dhe studimet e tyre shkencore, veç më filluan ta shkruajnë enciklopedinë reale dhe të shëndosh, për të gjithë popujt që jetojnë në këto treva. Qoftë me vonesë dhe pa paralajmërim të hapur prej akademikëve shqiptar për përgatitjen e një enciklopedie të tillë, shqiptarët me të madhe, duke u mbështetur në argumente të shëndosha albanologjike dhe historiografike, filluan të shkruajnë një enciklopedi, tërësisht tjetër krahas kësaj provokueses.

Menjëherë pas promovimit të kësaj enciklopedia prej AMSHA, e që ishte prezent dhe mori fjalën edhe kryeministri i vendit, i njëjti që tashmë dëshiron të paraqitet si i pavarur prej kësaj enciklopedia, filluan të lulëzojnë temat e ndryshme në lidhje me botimin e këtij provokacioni dhe fyerjes së radhës. Kontribute të veçanta dhanë, mediat e shkruara dhe elektronike, duke ia mundësuar shqiptarëve intelektual t’i paraqesin studimet e tyre, që lirshëm mund të themi se, nëse i mbledhim të gjitha analizat, reagimet, punimet historike, prononcimet dhe konferencat vetëm gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohore, pa më të voglin dyshim do të del një libër i ngjashëm me enciklopedinë maqedonase (është realisht maqedonase, ngase në të fyhet rëndë shqiptarët, e improvizohet kombi i vetëquajtur maqedoni) kuptohet, i njëjtë në vëllim e jo në përmbajte!

Me fjalinë e liderit shqiptarë të Ali Ahmetit, e cila ishte e shkurtër në thënie, por e gjerë në kuptim se, “maqedonasit e prishen armëpushimin”, tregohet dhe shihet qartë sinqeriteti i kësaj çështje. Fundja, historia e këtij lideri na tregon qartë brengosjen e tij për çështjen shqiptare, po ashtu edhe peshën e madhe të kësaj fjalie! Kjo fjali, siç thashë edhe më lartë, ishte e vogël dhe e shkurtët, por pesha e saj është, gjysma e enciklopedisë shqiptare. Ndërkaq, gjysmën tjetër do e plotësojmë ne opinioni i gjerë, elita intelektuale dhe politika mbarëshqiptare, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake.

Pra, me këtë enciklopedi, maqedonasit i zgjuan zhurmshëm shqiptarët prej gjumit, duke i dhënë një rast të mirë dhe të arsyeshëm, që tashmë historinë dhe enciklopedinë për veti, ta shkruajmë vetë, përndryshe do i lejojmë që albanofobët dhe historio-demagogët sllavo-maqedonas, ta shprehin dhe të bëjnë eksperimente me indin e albanologjisë dhe historiografisë shqiptare.

Exit mobile version