Site icon Telegrafi

Filloi Shkolla+ e Projektit ATOMI

Sot filloi Shkolla+ e Projektit ATOMI, e cila organizohet për 30 ditë – 25 të shtuna dhe 5 ditë gjatë pushimit pranveror – dhe do të zgjasë deri në fund të muajit tetor 2018.

Shkolla+ ofrohet për atomistët e përzgjedhur nga Instituti ATOMI vitin e kaluar dhe ka për qëllim që gjatë këtij aktiviteti atomistët vijues të mund të sfidohen me tema të ndryshme dhe të mësojnë gjëra të reja që nuk i mësojnë gjatë shkollimit të tyre të rregullt.

Shkolla+ është konceptuar dhe dizajnuar kryesisht në përputhje me interesimet dhe preferencat e vet atomistëve dhe në kuadër të saj ofrohen:

– kurse të avancuara të shkencave dhe fushave të ndryshme, si: matematikë, programim, neuro-shkencë, SAT/TOEFL, etj.,

– ligjërata me ekspertë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të cilët ftohen për të ligjëruar dhe diskutuar me atomistët tematika të ndryshme, si: shkencë, teknologji, inovacion, arsim, filozofi, politikë, drejtësi, ekonomi, art, kulturë, sport, media, etj.,

– vizita studimore dhe aktivitete të ndryshme edukative, kulturore, sociale, rekreative, sportive, etj..

Sot, ditën e parë të Shkollës+, filluan kurset e Matematikës dhe Programimit, si dhe filloi trajnimi për debatin “BP” (British Parliamentary style debate), të cilin format të debatit atomistët do ta përdorin në javët e ardhshme për të debatuar për tema të ndryshme në kuadër të Shkollës+.

Gjithashtu, sot në kuadër të seksionit për ligjërues mysafir, kemi pasur të ftuar profesor Ercan Canhasin – doktor i shkencave kompjuterike dhe profesor universitar – i specializuar në “Machine Learning”, i cili si bashkë-themelues i kompanisë Gjirafa e ka zhvilluar edhe Makinën Kërkimore të Gjirafës. Tema e ligjëratës së prof. Canhasit ishte “Deep Learning” në kuadër të “Machine Learning” dhe zbatimet praktike të kësaj teknologjie në fusha të ndryshme.

Instituti ATOMI iu uron punë të mbarë atomistëve gjatë Shkollës+ dhe mbetet me shpresë se ky aktivitet do të jetë i dobishëm dhe atraktiv për ta!/Telegrafi/

 

Exit mobile version