Telegrafi

Filloi kursi mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza 1 / Kolegji i Kirurgëve të Kosovës

Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me Komitetin e Specializantëve, ka filluar sot kursin mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza 1, i cili është dizajnuar sipas modelit të Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, (ACS/APDS Surgery Resident Skills Curriculum), dhe është pjesë e një kurrikule me tre faza

Mbështetje për fillimin e këtij kursi dha Dr. Sadik Llullaku, Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, i cili prezantoj punën e këtij institucioni, dhe kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë dhe po vazhdon të jap kryetari i KKK-së, Prof. Dr. Rifat Latifi.

Dr. Llullaku, njoftoj të pranishmit se vitin e kaluar për herë të parë Kosova përmes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës mori pjesë si e barabartë me shtetet tjera në Kongresin e Kolegjit Amerikan të Kirurgëve, dhe është përfaqësuar nga Kryetari i saj, Prof. Dr. Rifat Latifi.

E pranishme në këtë ngjarje të rëndësishme, ishte edhe U.D. Drejtoresha e SHSKUK-së, Dr. Pranvera Zejnullahu Rraçi, e cila falënderoi Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, në veçanti Prof. Dr. Rifat Latifin, për punën dhe kontributin që po bënë jo vetëm për specializantët, por edhe për sistemin shëndetësor në përgjithësi.

Ndërkaq, Prof. Dr. Vlora Ibishi, Kryetare e Këshillit Organizativ dhe Mbikëqyrës të Kursit dhe Dr. Edmond Haliti, Kryetar i Bordit për Shkollim Specialistik në Ministrinë e Shëndetësisë, u shprehën të gatshëm për bashkëpunim, në mënyrë që specializantët të fitojnë dijen dhe përvojën e duhur në zhvillimin e shkencës.

Faza e 1- iu kushtua: Asepsi dhe identifikimi i Instrumentit, me ligjërues Ass. Dr. Astrit Hamza, MD, Phd.

Me këtë, është duke u përmbushur një nga qëllimet kryesore të ekzistimit të Kolegjit të Kirurgëve përkitazi me edukimin e mjekëve të rinj sipas standardeve profesionale perëndimore.

Faza 1 – Edukimi Bazik, është krijuar për t’u mësuar specializantëve 16 aftësi thelbësore kirurgjikale në fazat e hershme të trajnimit të tyre, duke filluar nga parimet e asepsis dhe lidhjes së nyjeve, deri te aftësitë bazë laparoskopike dhe anastomozat.

Kjo kurrikulë është ridizajnuar kohët e fundit për edukatorët dhe specializantët në mënyrë që të jetë më ndërvepruese, e përshtatshme, si dhe më gjithëpërfshirëse duke realizuar çdo simulim përkatës.

Secili nga 16 modulet do të udhëhiqet nga një specialist (i cili do të shërbejë si mentor) dhe një specializant.

Ky kurs, në të cilin morën pjesë mbi 70 specializantë, është mbajtur në Amfiteatrin e Telemjekësisë, dhe i njëjti do të vazhdojë të mbahet çdo dy javë deri në fund të muajit Qershor 2023. /Telegrafi/