Sot filloi fushata ‘700 për 700’ për t’i dalë në ndihmë familjeve në nevojë urgjente për furnizime ushqimore dhe higjienike në Komunën e Kamenicës gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
Mbi 700 familje në Kamenicë kanë nevojë urgjente për furnizime me ushqime për shkak të gjendjes së rëndë të krijuar në këtë periudhë të pandemisë globale COVID-19.
Me këtë rast, platforma “Invest in Kamenica”, së bashku me Fondacionin Global Shqiptar dhe mbështetjen e organizatës GERMIN dhe Komunës së Kamenicës, sot lansuan fushatën për ngritje të fondeve për t’i siguruar pakot ushqimore esenciale për muajin e ardhshëm, për këto familje në nevojë.
Për të siguruar, mbledhur dhe dorëzuar këto pako ushqimore në dyert e familjeve në nevojë, fushata i bën thirrje komunitetit në Kosovë dhe Diasporë për të ndihmuar.
Në një video apel, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kastrati, falënderoi mbështetjen e përhershme të diasporës si dhe i bën thirrje këtij komuniteti që edhe këtë herë të kontribuojë me aq sa munden, në mënyrë që këtyre 700 familjeve në asistencë sociale të mos iu mungojë ushqimi në sofër.
Një pako esenciale ushqimore e cila do t’i dorëzohet secilës familje në prag të shtëpisë ka kosto prej 50.00€. Donacionet mund të bëhen direkt përmes Facebook dhe platformës PayPal, dhe pas çdo donacioni do të dorëzohet pakoja në kohë reale tek familja e cila është pjesë e listës së siguruar nga Komuna e Kamenicës.
Për t’iu bashkuar fushatës dhe për t’i dalë në ndihmë familjeve në nevojë në Kamenicë, dhuroni
përmes fushatës online në Facebook duke klikuar KËTU./Telegrafi/