Arijana Zhubi-Roka, si një nënë e re ka filluar të përgatis receta të veçanta për fëmijën e saj Arin, të cilat receta vendosi që t’i ndajë në rrjetet e saj sociale Instagram dhe Facebook, duke i quajtur këto faqe “Kuzhina e bebit”.
Nga interesimi i madh i nënave dhe rezultati që dhanë këto faqe, Arijana nuk u ndal me kaq, por ajo botoi të gjitha recetat e djalit të saj në një libër me titullin e njëjtë, “Kuzhina e Bebit”.
Arijana Zhubi-Roka në një intervistë dhënë për Telegrafin me gazetaren, Elfije Boletini ka folur për inspirimin e saj për gjithë këtë punë që është duke e bërë me receta të shëndetshme ushqimore për fëmijë.
Zhubi-Roka, tregoi se ka hulumtuar shumë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, si dhe ka lexuar mbi 19 libra të nutricionistëve.
“Tek libri ‘Kuzhina e Bebit” janë të gjitha recetat e Arit, të marrura nga blogu ‘Kuzhina e bebit’, në Instagram dhe gjithashtu tek grupi që tanimë kemi në Facebook ‘Kuzhina e bebit’. Realisht nuk e kam menduar që ta botojë, pasi isha duke e bërë shumë personale, mirëpo nënat ma kërkuan. Kam lexuar mbi 19 libra nga nutricionistët. Kështu që erdha në përfundim të botoj një libër në gjuhën shqipe. Libri ka informacione të rëndësishme për nënat, gjithnjë i bazuar në të dhënat e Organizatën Botërore të Shëndetësisë”, ka thënë ajo.
E pyetur se si është pritur ky libër në tregun tonë, ajo tha: “Libri është pritur shumë mirë, dhe po presim ribotimin e tij. Është botuar në qershor të vitit të kaluar. Në libër janë mbi 200 receta dhe informacione të ndryshme”.
Sipas saj, nuk është e lehtë të përgatisësh receta të veçanta si dhe të shëndetshme për fëmijët.
Zhubi-Roka u shpreh se nënat para se të fillojnë ushqimin për fëmijët e tyre – të cilët i kanë mbushur gjashtë muaj – duhet t’ua bëjnë një testim, pasi fëmijët mund të kenë alergji tek ndonjë produkt ushqimor.
“Sot të gatuash shumëllojshmëri recetash për fëmijë është shumë vështirë, pasi fëmijët mund të kenë edhe alergji. Pas çdo testimi, nëse një bebe ka alergji, duhet të bëjmë shumë kujdes në atë pjesë. Tri ditë duhet të testojmë një produkt, pasi alergjia nuk do të thotë që mund të shfaqet ditën e parë”, theksoi ndër të tjera, Arijana Zhubi-Roka.
Ajo po ashtu porosit të gjitha nënat me një fjali të vetme, “Të mundohemi të ushqehemi sa më shëndetshëm”. /Telegrafi/