Site icon Telegrafi

Filloi asfaltimi i rrugës Dragobil – Pallanka

Në kuadër të realizimit të investimeve kapitale të Komunës së Malishevës dhe në kuadër të përpjekjeve të komunës, për ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore, me qëllimin të sigurimit të qarkullimit më të lehtë të qytetarëve dhe lidhjes së rrugëve të fshatrave, me lagjet e tyre, sot është duke u asfaltuar rruga e cila lidh lagjen Pallanka me fshatin Dragobil.

Rruga e gjatë afër dy kilometra, e cila lidh këtë lagje me fshatin Dragobil dhe me magjistralen Prishtinë – Rahovec, në të njëjtën kohë, është e urë lidhëse e rrugës Malishevë –Rahovec me rrugën Malishevë-Kijevë, duke e mundësuar kështu, jo vetëm lidhjen e lagjes me fshatin, por edhe shkarkimin e rrugëve në qendrën komunale.

Asfaltimin e kësaj rruge, e kanë parë nga afër edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Urbanizmit, Skënder Rrahmanaj, të cilët u ndanë të kënaqur me punimet e bëra në këtë rrugë, e cila është shumë e rëndësishme për banorët e fshatit Dragobil dhe më gjerë.

Kryetari Begaj, me këtë rast i ka uruar banorët e këtij fshati, për rrugën, e cila prej tani e mundëson lidhjen e kësaj lagje me fshatin dhe më nuk kanë nevojë, që për të shkuar nga fshati në lagje dhe anasjelltas, të shkojnë së pari në Malishevë, e pastaj të lidhen në lagje apo në fshat.

Ndërtimi i kësaj rruge, së bashku me dy rrugë tjera më të shkurtra, buxhetit komunal të Malishevës, i kanë kushtuar afro 188 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version