Ministri i Drejtësisë Igor Filkov mori pjesë në manifestimin “Këshilli Gjyqësor – Sfidat dhe rekomandimet për sigurimin e një gjyqësori të pavarur”.
Në fjalën e tij, Filkov theksoi se është e nevojshme fokusi të vendoset në zgjidhjen e situatave, problemeve dhe në të ardhmen të mos ketë dyshime që mund të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sjelljen profesionale të Këshillit Gjyqësor.
“Të mos gënjehemi, nuk ka reformë që nuk është e dhimbshme, por nuk ka as reformë si kjo, aq e nevojshme. Dua të them se do të zbatojmë reformat e nevojshme, sado të vështira që të jenë. Dhe ne nuk do të ndalemi derisa qytetarët të fillojnë me besim të plotë t’i shikojnë gjykatat në procedurat për mbrojtjen e të drejtave të tyre”, tha Filkov.
Ministri bëri të ditur se muajin e ardhshëm do të fillojnë debatet publike për Ligjin për Këshillin Gjyqësor, për të gjetur zgjidhje të pranueshme, që të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor.
“Nga muaji i ardhshëm po fillojmë debatet publike për Ligjin për Këshillin Gjyqësor. Debate të cilat do të jenë eksperte dhe që jam i sigurt se do të japin fryte, veçanërisht në pjesët e tekstit ligjor që kanë të bëjnë me procedurën disiplinore, procedurën e ankimit, përzgjedhjen dhe shkarkimin. Këto tre aspekte të tekstit ligjor i kemi parë si vendimtare që në fillim, në mënyrë që të mund të shkojmë më tej me hapat drejt rivendosjes së besimit në sistemin e drejtësisë”, theksoi Filkov.
Sipas ministrit, vetëm duke garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij organi do të kemi sukses në rivendosjen e legjitimitetit, profesionalizmit dhe integritetit të Këshillit Gjyqësor, i cili siç tha, duhet të jetë shembull dhe të gëzojë besimin e të gjithë komunitetit./Telegrafi/