E tërë bota u habit gjatë javës së kaluar me pamjet e filmuara në Utah të SHBA-ve, ku në mes të shkretëtirës është zbuluar një monolit i pazakontë i cili pa kaluar shumë orë u zhduk në mënyrë misterioze ashtu siç edhe ishte shfaqur.
E sikur kjo të mos mjaftonte, një monolit i ngjashëm tani është vërejtur në Rumani. Një strukturë e pazakontë e lartë rreth katër metra është parë në veriperëndim të vendit – tek qyteti Pjatra Njamca, transmeton Telegrafi.
Ky monolit është shumë i ngjashëm me atë në Utah, të cilin e gjetën një grup burrash që po fluturonin me helikopter – derisa po i numëronin delet.
“Kemi filluar të hetojmë këtë strukturë të pazakontë – monolitin. Gjendet në një pronë private, për këtë nuk po e dimë kush është pronari i kësaj skulpture. Ndodhet edhe në një zonë të mbrojtur arkeologjike. Po të kishte dashur dikush të vendosë diçka këtu, është dashur fillimisht të marrë leje nga organet kompetente”, kanë bërë të ditur zyrtarë nga qendra për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në këtë qytet rumun. /Telegrafi/