Kryetari i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashaj ka thënë se janë rreth 300 mësimdhënës të cilët për momentin janë të liruar nga procesi mësimor.
Jasharaj në një intervistë për Telegrafin ka deklaruar se ky vendim është marrë për shkak të pandemisë COVID-19, dhe rrezikut që iu kanoset këtyre mësimdhënësve, të cilët kanë probleme të rënda shëndetësore.
“Meritë që i takon edhe ministrit Likaj edhe kabinetit të tij është se u arrit të sigurohen mjete buxhetore për kolegët tanë. Kolegët tanë me sëmundje të rënda, qoftë me kancer, tension të lartë, me hemodializë të lirohen momentalisht nga procesi mësimor por të marrin pagë të rregullt. Kjo vlen për këtë vit shkollor, pra nëntë muaj. MASH do të angazhojë kuadro të reja në vend të tyre, dhe ata do ta marrin misionin e shenjtë. Ne hulumtim që e kanë bërë të tjerët, del rreth 300 mësimdhënës që janë liruar për këtë vit”, ka thënë ai.
Jasharaj më tej ka thënë që shpreson që Qeveria ta bëjë një zgjidhje afatgjate për këta mësimdhënës që kanë probleme shëndetësore.
Sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor, Jasharaj tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se procesi mësimor është duke u zhvilluar në të gjitha shkollat.
Në rast të infektimit me COVID-19 të ndonjë nxënësi apo mësimdhënësi, Jasharaj tha se do të ndërmarrin disa veprime.
“Nëse gjërat nuk shkojnë si duhet janë task forcat. Ata nëse vlerësojnë se gjërat nuk po shkojnë siç duhet dhe po cenohet shëndeti i nxënësve apo i mësimdhënësve, do të sjellin vendim që ajo shkollë të mbyllet për një javë, dhe të i jap kohë që të përmirësohet. Nëse paraqitet numër i madh i të infektuarve, klasa, shkolla por edhe komuna do ta ndërpres mësimin dhe do të kalojnë në mësimin në distance”./Telegrafi/