Site icon Telegrafi

Fillimi i vitit të ri shkollor – 41 mësimdhënës dhe 13 nxënës të infektuar me COVID-19 në të gjithë vendin

Foto: Arkiv

Që nga fillimi i vitit të ri shkollor me COVID-19 janë infektuar 41 mësimdhënës dhe 13 nxënës. Në Komunën e Prishtinës e atë të Fushë Kosovës janë shënuar më së shumti raste pozitive të mësimdhënësve me koronavirus.

Këto të dhëna  janë bërë të ditura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku në një përgjigje me shkrim thuhet se numri i mësimdhënësve të testuar në 10 komuna është 872.

“Numri i mësimdhënësve të testuar sipas raporteve deri më 5 tetor (e hënë) në 10 komuna është 872 nga të cilët pozitiv kanë rezultuar vetëm 41. Ndërkaq, nxënës deri me tani që kanë rezultuar pozitiv janë gjithsej 13”, thuhet në përgjigje.

Shkollat nga të cilat janë raportuar mësimdhënësit e infektuar janë:

– Prishtinë – SHFMU “Faik Konica” – 526 të testuar, 12 pozitivë,

– Podujevë – 11 të testuar, 0 pozitiv

– Obiliq – 50 të testuar ndërsa 1 pozitiv në SHFMU “Migjeni”,

– Drenas – 2 pozitiv në shkollat SHFMU “Naim Frashëri” dhe SHFMU “Xheladin Gashi – Plaku”,

– Fushë Kosovë – nga 192 të testuar 13 rezultojnë pozitiv në shkollat I.P “Gëzimi Ynë” (5), SHFMU “Mihal Grameni” (5), SHFMU “Hivzi Sulejmani” (3).

– Prizren – nga 5 të testuar, 1 ka dalë pozitiv në SHFMU “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”,

– Suharekë – nga 38 të testuar, 3 rezultojnë pozitiv në SHFMU “7Marsi” (2) dhe SHFMU në fshatin Gelancë (1),

– Istog – nga 49 të testuar, 8 kanë rezultuar pozitiv në SHFMU “Bajram Curri”,

– Klinë – 1 ka rezultuar pozitiv në SHFMU “Ismet Rraci”

Ministria e Arsimit nuk ka treguar për nxënësit e infektuar në bazë të komunave dhe shkollave.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka treguar edhe masat që janë ndërmarrë për ata mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv.

“MASH ka hartuar Protokollin e reagimit ndaj pandemisë COVID – 19 në shkolla, që ka qëllim të përcaktojë mënyrën e reagimit të menaxhmentit të personelit të shkollave dhe të DKA-ve në rast të paraqitjes së rasteve të infektimit individual ose grupor të nxënësve ose të personelit të shkollave gjatë zbatimit të procesit mësimor në shkolla. Udhëzim për reagim parasheh ndërrimin e skenarëve (A->B ose B->C) në bazë të numrit të personave të infektuar në sistemin arsimor. Ndërsa, në secilin rast kur një mësimdhënës tregon simptoma të ngjashme me COVID-19, menaxhmenti i shkollës duhet të informojë DKA-në/QKMF-në përkatëse, dhe DKA duhet të gjejë zëvendësim të përkohshëm brenda stafit të shkollës menjëherë, sigurojë testimin për COVID-19 në afatin sa më të shkurtë për mësimdhënësin dhe në rast të rezultatit pozitiv – të gjejë zëvendësim nga mësimdhënësit e shkollës ose nga lista e mësimdhënësve rezervë në komunë. Në këtë rast të gjithë nxënësit e klasës përkatëse dhe kontaktet e mësimdhënësit kalojnë në mësim online”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se pavarësisht rasteve pozitive te disa nxënës dhe personeli arsimor situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme.

“Nga komunikimi i përditshëm që kam me kolegun tim, ministrin e Arsimit, Ramë Likaj dhe nga informatat e përditësuara nga terreni, mund të konstatojmë̈ se pavarësisht rasteve pozitive te disa nxënës dhe personeli arsimor me COVID 19, situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme”, thuhet në postimi e tij.

Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë shënuar 33 raste me COVID-19 dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes./kp/

Exit mobile version