Telegrafi

Fillimi i vitit shkollor do të bëhet me dy faza, e para nis më 14 shtator kurse e dyta më 21

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021.

Por pavarësisht përgatitjeve, MASH është në pritje të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë që të nxjerrin vendimin për fillimin e vitit të ri shkollor. Kështu deklaroi sot ministri i Arsimit, Ramë Likaj.

Fillimi i vitit të ri shkollor është paraparë të nis më 14 shtator, dhe MASH-i ka planifikuar të fillojë me dy faza.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Enver Osdautaj këshilltari i ministrit Ramë Likaj.

“Ministria ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 më datë 14 shtator. Mësimi kemi planifikuar ta fillojmë me dy faza. Faza e parë fillon më 14 shtator kurse e dyta fillon më 21 shtator”, ka thënë Osdautaj, duke shtuar se të gjitha specifikat do të bëhen publike në vendim.

Lexo po ashtu Mikrobiologu Raka flet për fillimin e mësimit: Rreziku i infektimit nëpër shkolla ekziston, por për secilin skenar të mundshëm është edhe vendimi

Osdautaj ka bërë të ditur se sot do të zhvillojnë një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit.

“Sot kemi takim me drejtorët e DKA-ve dhe së bashku do të përcaktohemi edhe për fazat dhe për përballje me sfidat që na presin shkaku i pandemisë”, u shpreh Osdautaj.

Këshilltari i ministrit Likaj, më tej theksoi se prioritet i ministrisë është shëndeti i nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë personelit që punojnë në institucionet edukativo-arsimore.

Ndryshe, tashmë ka filluar edhe testimi për COVID-19 i 1500 mësimdhënësve për të parë gjendjen e tyre shëndetësore.

Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani për të parë se cili do të jetë rekomandimi i IKSHPK-së për Ministrinë e Arsimit lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës më 27 gusht, mori vendim që mësimi në Kosovë të fillojë më 14 shtator, për të vazhduar pastaj me fazat e parapara sipas ministrisë./Telegrafi/