Site icon Telegrafi

Filipçe: Vaksinat janë të sigurta dhe janë masa e vetme parandaluese kundër fruthit

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe siguroi se vaksinat janë të sigurta dhe janë masa e vetme parandaluese që mbron fëmijët nga fruthi. Ai informoi se janë marrë masa urgjente dhe të nevojshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të epidemisë së fruthit e cila u shfaq në një çerdhe të Radishanit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Për shkak të rastit aktual të fruthit në një çerdhe në vendbanimin Radishan të Shkupit, ku ka 5 fëmijë të sëmurë dhe një i rritur, të cilët të gjithë janë në gjendje stabile, së bashku me Komitetin për Imunizim dhe Komisionin për Sëmundjet Infektive, si dhe Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar janë marrë masa urgjente dhe të nevojshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes”, tha ministri Filipçe.

Çerdhja e fëmijëve në Radishan do të mbyllet për 15 ditë. Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se dezinfektimi i të gjithë impianteve tashmë është kryer. Në këtë çerdhe janë regjistruar 223 fëmijë dhe në këtë periudhë kanë marrë pjesë mesatarisht 104 fëmijë.

Lexo po ashtu Përkohësisht mbyllet çerdhja “Tashko Karagja” për shkak të përhapjes së fruthit

Filipçe theksoi se të gjitha masat që janë ndërmarrë në këtë moment, janë për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe kanë të bëjnë për të gjithë territorin e vendit./Telegrafi/

Exit mobile version