Telegrafi

Filipçe: Do të hapet qendër e re për pacientët me COVID-19 në Klinikën për Vesh, Hundë dhe Fyt

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, këtë mëngjes është takuar me drejtorët e covid-qendrave në klinikën “Nënë Tereza” në Shkup, për të parë gjendjen me kapacitetet spitalore.

Nga MSH thonë se për momentin klinikat interne disponojnë me rreth 190 shtretër me furnizim me oksigjen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Gjatë ditës së sotme do të hapet edhe një covid-qendër në Klinikën për veshë, hundë dhe fyt, ku do të mund të hospitalizohen edhe 50 pacientë shtesë. Mbeten në dispozicion edhe kapacitetet në pjesën e klinikave kirurgjike, të cilat sipas nevojës do të hapen në ditët e ardhshme”.

“Në total, në kompleksin e klinikave Nënë Tereza ka rreth 350 shtretër për pacientë me COVID-19 të shpërndara në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Klinikat e Brendshme – Klinika për Dermatovenereologji, Klinika për Sëmundjet e Syve, Klinika për Nefrologji, Klinika për Gastroenterologji dhe Neuropatologji dhe në Institutin e Sëmundjeve të Mushkërive. Ka 110 shtretër shtesë në spitalin 8 Shtatori dhe 40 në Institutin për Sëmundjet e Mushkërive tek Fëmijët në Kozle”, thonë nga MSH./Telegrafi/