Telegrafi

Filipçe: Një përqindje e madhe e të infektuarve të rinj nuk e dinë se ku janë infektuar

“Një përqindje serioze e të infektuarve të rinj thjesht nuk munden ose nuk e dinë se ku janë infektuar dhe në atë kuptim ne po synojmë vendet ku ka grupime. Qëllimi është të mbajnë maska, të shmangin grupime. Ne besojmë se me masat e reja të propozuara ndikojmë në disa faktorë, në shumë vende të zvogëlohet rreziku i transmetimit të virusit”.

Këtë e tha sot në konferencë për shtyp ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ku gjithashtu i prezantuan masat e reja që do t’i propozohen Qeverisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Siç deklaroi Filipçe, sipas rregullave aktuale me fuqi ligjore, është e nevojshme të bëhen ndryshime ligjore për masat e mëparshme.

Ai shtoi se ligji është tashmë në procedurë parlamentare dhe ata presin që ai të votohet javën e ardhshme në lidhje me paketën e propozuar të masave të tilla si mbajtja e detyrueshme e maskave në ambient të hapur, ndalesa e grupimit pas orës 22:00 dhe ndalesa e vizitave në shtëpi, në mënyrë që, siç tha Filipce, inspektorët dhe Ministria e Brendshme të jenë në gjendje të veprojnë në lidhje me kontrollin dhe ndërmarrjen e sanksioneve.

Sot Filipçe njoftoi se Komisioni për Sëmundje Infektive propozon që të vendoset ndalesë e plotë e organizimit të ngjarjeve, shkurtimi i orëve të punës të të gjitha subjekteve ekonomike deri në orën 23:00 dhe kapaciteti në transportin publik të jetë i mbushur deri 50 për qind./Telegrafi/